Haxhiu takon ministrin për Evropë dhe punë të jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha

Prishtinë | 31 Maj 2026 | 10:11 | Nga Ekonomia Online

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu ka pritur në takim Ministrin për Evropën dhe Punë të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Ferit Hoxha, raporton Ekonomia Online.

Takimi u mbajt i mbyllur, ndërkaq përmes njoftimit te presidencës u tha se u diskutua për marrëdhëniet e të dyja vendeve.

“Ju keni qenë zëri i Kosovës kur Kosova nuk kishte zë”, tha ajo, duke e uruar ministrin Hoxha për detyrën dhe duke vlerësuar përvojën e tij të gjatë diplomatike në përfaqësimin e Shqipërisë në organizata dhe forume ndërkombëtare.

Në takim u bisedua për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, për koordinimin në politikën e jashtme, si dhe për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara ndërmjet dy vendeve. U.d. Presidentja Haxhiu theksoi se afërsia historike, gjuhësore dhe kombëtare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë mbetet një bazë e fortë për thellimin e bashkëpunimit institucional dhe për projekte që u shërbejnë drejtpërdrejt qytetarëve të të dyja vendeve.

Një pjesë e takimit iu kushtua rrugës evropiane dhe euroatlantike të Kosovës. Presidentja Haxhiu kërkoi vazhdimin e mbështetjes së Shqipërisë për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, për marrjen e pyetësorit të Bashkimit Evropian, si dhe për afrimin e mëtejshëm të Kosovës me NATO-n dhe Partneritetin për Paqe.

Presidentja Haxhiu theksoi se Kosova dhe Shqipëria duhet ta vazhdojnë koordinimin e ngushtë në të gjitha forumet ndërkombëtare, në shërbim të forcimit të pozitës së Kosovës dhe interesave të përbashkëta në rajon dhe në Evropë.

Të ngjashme