Haxhiu: PDK-ja do ta nxjerrë vendin nga kriza ekonomike dhe politike

Prishtinë | 01 Qer 2026 | 14:40 | Nga Ekonomia Online

Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, Bekim Haxhiu, ka bërë thirrje që qytetarët ta mbështesin PDK-në në zgjedhjet e ardhshme, duke vlerësuar se vendi po përballet me krizë ekonomike, sociale, institucionale dhe politike.

Në një paraqitje televizive, Haxhiu tha se prioritet është ndalimi i, siç e quajti ai, krizës së prodhuar nga qeverisja aktuale.

“Pse duhet të votohet Partia Demokratike? E para është se duhet me ndalë këtë krizë ekonomike, sociale, institucionale dhe politike që po prodhohet qëllimshëm nga Lëvizja Vetëvendosje”, tha Haxhiu.

Ai u shpreh se me Bedri Hamza në krye të qeverisë, vendi do të përjetojë ndryshime pozitive dhe përmirësim të mirëqenies së qytetarëve.

Sipas tij, PDK-ja ofron një alternativë që do të ndikojë edhe në forcimin e marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë.

“Me Partinë Demokratike dhe me Bedri Hamzën kryeministër, Kosova do të ndryshojë pozitivisht. Edhe mirëqenia e qytetarëve, e cila është rrënuar shumë, por edhe relacioni i Kosovës me partnerët ndërkombëtarë. Është esenciale që Kosova me këto zgjedhje ta bëjë një hap përpara pas gjashtë viteve hapa prapa të regresit shoqëror dhe shtetëror”, deklaroi ai.

Haxhiu kritikoi edhe qeverisjen e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke vlerësuar se pozita ndërkombëtare e Kosovës është përkeqësuar gjatë viteve të fundit.

“Kosova asnjëherë nuk ka qenë në pozicion më të keq ndërkombëtar sesa është me këto gjashtë vite të qeverisjes Kurti”, tha Haxhiu.

Të ngjashme