Situata në Liban po përshkallëzohet sërish, ndërsa mijëra banorë të periferisë jugore të Bejrutit po largohen nga shtëpitë e tyre pas njoftimit të qeverisë izraelite se ushtria do të kryejë sulme të reja në zonën e njohur si Dahiyeh, e cila konsiderohet bastioni më i rëndësishëm i Hezbollahut në kryeqytetin libanez.
Menjëherë pas deklaratës së përbashkët të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe ministrit të Mbrojtjes Israel Katz, shumë familje nisën të bëjnë gati sendet më të nevojshme dhe të largohen nga lagjet e rrezikuara. Rrugët që të çojnë jashtë zonës u mbushën me automjete, duke krijuar trafik të rënduar dhe skena paniku mes popullsisë civile.
Korrespondentët në terren raportojnë se banorët po përballen me vështirësi të mëdha për të gjetur strehim, pasi shumë qendra të ngritura nga autoritetet janë tashmë të mbipopulluara. Një pjesë e familjeve po kalojnë orë të tëra në makina, duke pritur zhvillimet e ardhshme dhe duke mos ditur nëse do të mund të kthehen së shpejti në shtëpitë e tyre. Frika për një valë të re bombardimesh ka rikthyer kujtime të dhimbshme të konflikteve të mëparshme që kanë goditur Libanin.
Ministri izraelit i Mbrojtjes deklaroi se nuk do të ketë qetësi në Bejrut, për sa kohë që sulmet e Hezbollahut ndaj veriut të Izraelit vazhdojnë. Sipas tij, Izraeli synon të largojë kërcënimet ndaj qytetarëve izraelitë dhe të krijojë një zonë sigurie në rajonin e lumit Litani në jug të Libanit. Kjo deklaratë konsiderohet nga ekspertët si një sinjal se Izraeli po përgatitet për një prani më të gjatë ushtarake në pjesë të territorit libanez, nëse situata nuk ndryshon.
Tensionet u rritën edhe më shumë pasi ushtria izraelite mori kontrollin e Kalasë së Beaufortit, një pikë historike dhe strategjike në jug të Libanit. Kjo kala ishte përdorur nga Izraeli edhe gjatë periudhës së okupimit të jugut të Libanit para vitit 2000 dhe ka një rëndësi të veçantë ushtarake, për shkak të pozicionit të saj dominues mbi zonën përreth.
Kryeministri Netanyahu e cilësoi marrjen e saj si një fazë të re dhe të rëndësishme të operacionit kundër Hezbollahut, duke premtuar zgjerimin e kontrollit në territore, që më parë konsideroheshin nën ndikimin e organizatës libaneze.
Në të njëjtën kohë, Shtetet e Bashkuara po përpiqen të shmangin një përshkallëzim edhe më të madh të konfliktit. Sipas burimeve diplomatike, Uashingtoni ka propozuar një plan për uljen e tensioneve që parashikon ndërprerjen e sulmeve të Hezbollahut ndaj Izraelit në këmbim të ndalimit të zgjerimit të operacioneve ushtarake izraelite në Bejrut.
Sekretari Amerikan i Shtetit Marco Rubio ka zhvilluar bisedime të ndara me presidentin libanez Joseph Aoun dhe kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, duke kërkuar krijimin e kushteve për një armëpushim më të qëndrueshëm.
Megjithatë, perspektivat për një zgjidhje të shpejtë mbeten të paqarta. Të dyja palët vazhdojnë të akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimeve dhe marrëveshjeve të mëparshme. Në terren, luftimet dhe sulmet vazhdojnë të shkaktojnë viktima dhe dëme të konsiderueshme materiale. Autoritetet libaneze raportojnë mijëra të vrarë dhe të plagosur që nga fillimi i përshkallëzimit të fundit, ndërsa numri i të zhvendosurve ka kaluar shifrën e një milion personave.