Kandidatja për deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka vizituar kompaninë “Eurometal”, për të cilën tha se përfaqëson një shembull të suksesshëm të prodhimit vendor që arrin të depërtojë edhe në tregjet evropiane.
Në një postim në Facebook, Bajrami theksoi rëndësinë e bizneseve vendore për zhvillimin ekonomik të Kosovës, duke vlerësuar punën dhe standardet profesionale të kompanisë.
“Sot, pamë nga afër punën serioze që bëhet në ‘Eurometal’, një kompani që dëshmon se prodhimi vendor ka cilësi dhe është i pranueshëm në tregje përtej Kosovës”, ka shkruar Bajrami.
Ajo ka theksuar se bizneset prodhuese janë shtyllë e ekonomisë së vendit, pasi krijojnë vende pune dhe kontribuojnë në zhvillimin industrial.
“Biznese të tilla janë shtylla e ekonomisë sonë. Ato hapin vende pune, mbajnë gjallë industrinë dhe e çojnë emrin e Kosovës në tregjet evropiane përmes punës së ndershme dhe standardeve profesionale”, ka deklaruar ajo.
Bajrami ka bërë thirrje për më shumë mbështetje ndaj prodhuesve vendorë, duke theksuar nevojën për politika që nxisin rritjen dhe zhvillimin e tyre.
“Prodhuesit tanë kanë nevojë për mbështetje, partneritet dhe politika që ua lehtësojnë rrugën drejt rritjes dhe zhvillimit. Kosova zhvillohet kur bizneset vendore fuqizohen”, ka shtuar Bajrami.