Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor në Ferizaj ka vazhduar zbatimin e masave për rritjen e sigurisë në trafik, duke ndërmarrë veprime ndaj dy shoferëve që kanë kryer kundërvajtje të rënda në komunikacionin rrugor.
Sipas një njoftimi të Policisë thueht se të hënë (01.06 2026), në rrugën magjistrale në fshatin Babush, policët e komunikacionit kanë ndaluar shoferin me inicialet A.F. (26 vjeç), i cili drejtonte një automjet të tipit BMW 320 me targa vendore. Gjatë kontrollit është konstatuar se ai po lëvizte me shpejtësi 85 km/h në një zonë ku kufizimi i shpejtësisë është 50 km/h.
Pas verifikimit të dokumentacionit, është konstatuar se ndaj tij ishte në fuqi masa mbrojtëse e ndalimit të drejtimit të automjetit për periudhën 08.05.2026 – 05.08.2026. Për këtë arsye, ndaj tij është shqiptuar gjobë në vlerë prej 500 euro, 5 pikë negative, është vazhduar masa mbrojtëse edhe për gjashtë muaj, si dhe i është konfiskuar automjeti.
Ndërsa në rastin e dytë po ashtu, më 01.06 2026, rreth orës 18:10, në rrugën magjistrale në Ferizaj, policët kanë ndaluar shoferin E.M. (21 vjeç), i cili drejtonte një automjet të tipit VW Golf me targa vendore, duke përdorur telefonin mobil gjatë ngasjes.
“Gjatë verifikimit të dokumentacionit është konstatuar se edhe ndaj tij ishte në fuqi masa mbrojtëse e ndalimit të drejtimit të automjetit për periudhën 28.04.2026 – 27.07.2026. Si rezultat, ndaj tij është shqiptuar gjobë prej 500 euro, 5 pikë negative, është vazhduar masa mbrojtëse edhe për gjashtë muaj, si dhe i është konfiskuar automjeti”, thuhet në njoftim.