Hetemi: Veriu prej gjashtë vitesh nuk ka transport publik, ka nevojë për një zë që e ngre këtë çështje në Kuvend

Prishtinë | 02 Qer 2026 | 16:34 | Nga Ekonomia Online

Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Shaqir Hetemi ka reaguar lidhur me mungesën e transportit publik në zonat e banuara me shqiptarë në veri të Kosovës, duke akuzuar Qeverinë Kurti për neglizhencë ndaj banorëve të kësaj pjese të vendit.

Përmes një postimi në Facebook, Hetemi ka deklaruar se shqiptarët në veri kanë mbetur pa linja të transportit publik që nga viti 2020.

“Që nga shkurti i vitit 2020 deri më sot — 6 vite me radhë — shqiptarët e veriut të Kosovës jetojnë pa asnjë linjë transporti publik”, ka shkruar ai.

Sipas Hetemit, me ardhjen e qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti është ndërprerë mbështetja institucionale për transportin publik në veri.

“Njëra nga aktet e para ishte ndalimi i transportit publik dhe heqja e subvencioneve nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit për veriun. Një vendim që u mor në Prishtinë, por pasojat i përjetojnë çdo ditë njerëzit e thjeshtë”, ka theksuar ai.

Ai ka përmendur disa prej zonave që, sipas tij, janë prekur nga kjo situatë, përfshirë fshatra dhe lagje në komunat e Leposaviqit, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Mitrovicës së Veriut.

Hetemi ka ngritur shqetësime edhe për vështirësitë me të cilat, sipas tij, përballen nxënësit dhe studentët e këtyre zonave.

“Fëmijë që zgjohen në agim për të shkuar në shkollë. Të rinj që nuk mund të arrijnë universitetet. Familje që shpenzojnë të ardhura të pakta vetëm për transport — sepse shteti i ka braktisur”, ka deklaruar ai.

Kandidati i PDK-së ka bërë thirrje që çështja e transportit publik në veri të trajtohet në Kuvendin e Kosovës.

“Veriu i Kosovës ka nevojë për një zë që e ngre këtë çështje në Kuvend — me fakte, me guxim dhe pa frikë”, ka shkruar Hetemi, duke kërkuar mbështetje në zgjedhje.

Të ngjashme