Kandidatja për presidente, Vjosa Osmani, në tubimin elektoral në Mitrovicë u ka bërë ftesë kundërshtarëve politikë për debat publik, duke theksuar se qëndrimet e saj për mbrojtjen e sovranitetit dhe shtetit të Kosovës janë të palëkundura, raporton Ekonomia Online.
Ajo tha se Kosova përballet ende me sfida nga një fqinj, të cilin e cilësoi si historikisht destabilizues, por sipas saj, vendi nuk do të lëkundet nga mbrojtja e shtetit.
“Përballjen s’e kemi pasur të lehtë. Ia kujtuam gjithë botës se ne ende kemi përballë një fqinj shekullor, i cili nuk heq dorë nga ambiciet destabilizuese. Por le ta dijë ky fqinj nga këtu që ne kurrë as nuk kemi hequr e as nuk do të heqim dorë asnjë milimetër nga mbrojtja e sovranitetit tonë, nga mbrojtja e territorit tonë, nga mbrojtja e shtetit tonë. Nuk kemi hequr dorë, nuk do të heqim kurrë”, tha Osmani.
Ajo shtoi se asnjë presion nuk mund të ndryshojë qëndrimin e saj dhe të institucioneve të Kosovës.
“Asnjë presion, asnjë presion i vetëm nuk do të na lëkundë kurrë nga ky qëndrim që e kemi mbrojtur çdo ditë të angazhimit tonë politik”, u shpreh ajo.
Osmani theksoi se ka të tillë që, sipas saj, tentojnë të mashtrojnë qytetarët e Mitrovicës për qëndrimet e saj si presidente, duke i ftuar ata në debat publik.
“Të tillët le ta marrin fillimisht guximin të dalin e të përballen. Të përballen në një debat normal, politik, me argumente dhe nga ana ime edhe me prova konkrete se si e kam mbrojtur këtë vend e si e kam mbrojtur sovranitetin e këtij vendi”, tha ajo.
Ajo shtoi se është e gatshme të paraqesë edhe dëshmi për veprimet e saj institucionale, përfshirë komunikimet me aleatët ndërkombëtarë në momentet e vështira për vendin.
“Me prova konkrete se kush komunikoi me Shtëpinë e Bardhë për ta mbrojtur këtë vend në momentet më të rënda të historisë sonë”, u shpreh Osmani.
Ajo theksoi rëndësinë e partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e cilësuar atë si garanci për sigurinë e Kosovës.
“Partneriteti me aleatin tonë të lirisë, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbetet garancia më e fuqishme për sigurinë tonë. Historia na ka mësuar se kur kemi qenë bashkë, gjithmonë kemi fituar”, shtoi Osmani.
