“Uji është siguri kombëtare” Enver Hoxhaj prezanton planin për 5 diga strategjike

Prishtinë | 02 Qer 2026 | 19:39 | Nga Ekonomia Online

Kandidati i PDK-së për deputet, Enver Hoxhaj, ka publikuar një video ku flet për rëndësinë strategjike të ujit dhe nevojën për ndërtimin e digave dhe liqeneve akumuluese në Kosovë.

Në videon e realizuar në zonën e Dragaqines, Hoxhaj thotë se projekti i një liqeni të madh në atë pjesë është diskutuar që nga vitet e 70-ta dhe se do të kishte ndikim të madh për rajonin e Suharekës, Prizrenit dhe deri në Gjakovë.

“Ni liqen i madh këtu i Dragaqines e kish nderru komunën e Suharekës, të Prizrenit besa deri në Gjakovë”, dëgjohet duke thënë Hoxhaj në video.

Ai po ashtu kujton diskutimet e hershme për potencialin e zonës.

“Në vitet 70-ta këtu kanë ardh ekspertat dhe kanë bë analizë që këtu mund të bëhet një liqen i madh”, thuhet në një pjesë tjetër të videos.

Hoxhaj e cilëson ujin si “siguri kombëtare”, duke kritikuar mënyrën se si, sipas tij, po shpenzohen paratë publike.

“Sot, uji është siguri kombëtare. Ndërsa bota po përballet me thatësi dhe krizë të burimeve natyrore, në Kosovë miliona euro po humben në propagandë e interesa elektorale”, thuhet në mesazhin e videos.

Ai përmend edhe pesë projekte që, sipas tij, do të realizohen nga Partia Demokratike e Kosovës: Dragaqina, Kuqiqi, Pollata, Disivojca dhe Firaja.

Në përshkrimin e videos së publikuar në Facebook, Hoxhaj shkroi:

“Kur bota po lufton për ujë, te ne miliona humbën në propagandë. 5 diga dhe 5 liqene për Kosovën me PDK-në.”

Të ngjashme