Thellohet bashkëpunimi i Policisë së Kosovës me atë të Shqipërisë, nënshkruhet një marrëveshje e rëndësishme

Prishtinë | 02 Qer 2026 | 20:13 | Nga Ekonomia Online

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës kolonel Gazmend Hoxha, i shoqëruar nga stafi i lartë menaxhues, po qëndron për një vizitë zyrtare në Policinë e Shtetit të Shqipërisë, ku fillimisht u mirëpritën nga drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, në krye me drejtorin e përgjithshëm të Policisë, drejtues madhor Skënder Hita.

Gjatë kësaj vizite e cila u vlerësua si e një rëndësie të veçantë, u nënshkrua marrëveshja ndërmjet Policisë së Shtetit dhe Policisë së Kosovës për organizimin e shërbimeve të përbashkëta të policimit rrugor, me qëllim përmbushjen sa më efektive të parametrave të sigurisë rrugore gjatë sezonit turistik 2026.

Vizita zyrtare vazhdoi edhe në Akademinë e Sigurisë së Policisë së Shqipërisë, ku u realizua një takim mjaft frytdhënës me Prof.Dr.Ilirjan Mandro dhe stafin e Akademisë, me të cilët diskutuan për bashkëpunimin në fushën e trajnimeve me interes për të dy palët.

Drejtori Hoxha, mbajti një ligjëratë para studentëve të kësaj Akademie, ku i njoftoi mbi punën, angazhimet, të arriturat dhe objektivat strategjike të Policisë së Kosovës që ndërlidhen me fushën e sigurisë, përfshirë menaxhimin dhe veprimet profesionale të Policisë së Kosovës në rastin e sulmit terrorist në Banjska.

Krerët e institucioneve u zotuan për bashkëpunim të ndërsjellët në të gjitha fushat me interes të përbashkët policor.

Të ngjashme