Instituti GAP dhe Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI), kanë kërkuar për siç kanë thënë tërheqjen e dispozitave diskriminuese dhe konsultim publik të ndarë dhe të veçantë për Rregulloren e re të Kryeqytetit për taksa, tarifa dhe gjoba komunale.
Instituti GAP ka shprehur shqetësim lidhur me “Draft Ndryshimin dhe Plotësimin e Rregullores për Tarifa, Ngarkesa dhe Gjoba Komunale” të Komunës së Prishtinës, e cila është në fazën e konsultimit publik.
Sipas këtij instituti përmbajtja e disa dispozitave të këtij drafti rrezikon të shkelë parimet e barazisë, proporcionalitetit dhe arsyeshmërisë në trajtimin e qytetarëve, subjekteve dhe kategorive të ndryshme. Drafti parashikon vendosjen e tarifave komunale për veprimtari ekonomike pa paraqitur një metodologji të qartë të llogaritjes apo një analizë të ndikimit ekonomik, si dhe propozon një taksë prej 10 euro për hyrjen në territorin e Kryeqytetit vetëm për automjetet e regjistruara jashtë Prishtinës. Këto masa krijojnë trajtim të pabarabartë ndërmjet kategorive të ndryshme të qytetarëve dhe bizneseve dhe rrezikojnë të cenojnë parimin e mosdiskriminimit.
Po ashtu, është e rëndësishme të rikujtohet se Komuna e Prishtinës është e vetmja komunë në Kosovë që përfiton grant shtesë për shkak të statusit si Kryeqytet, duke marrë nga buxheti shtetëror rreth 20 milionë euro në vit. Kjo mbështetje financiare synon të adresojë ngarkesën e shtuar administrative dhe funksionale të Kryeqytetit, por edhe të krijojë kushte më të mira për zhvillim dhe mundësi të barabarta për të gjithë. Pikërisht për këtë arsye, politikat komunale, sidomos ato që ndikojnë drejtpërdrejt në bizneset, qytetarët dhe shërbimet duhet të udhëhiqen nga parimi i mosdiskriminimit dhe nga një qasje gjithëpërfshirëse, e cila nuk prodhon efekte përjashtuese e as nuk krijon barrë të pabarabartë për kategori të caktuara.
I bëjmë thirrje Komunës së Prishtinës që:
· Të heqë dorë nga dispozitat dhe praktikat që prodhojnë trajtim diskriminues ose përjashtues, qoftë përmes kategorizimeve të paarsyetuara, qasjeve selektive ndaj subjekteve të caktuara, apo vendosjes së barrës fiskale pa kritere të qarta dhe vlerësim paraprak.
· T’i nënshtrojë Rregulloren e re një konsultimi publik të ndarë dhe të strukturuar sipas grupeve/subjekteve të prekura, në mënyrë që procesi të jetë kuptimplotë, transparent dhe i drejtë. Një dokument me ndikim kaq të gjerë, që prek shumë sektorë ekonomikë dhe kategori të ndryshme, nuk mund të trajtohet me një konsultim të përgjithshëm formal, pa diskutim të drejtpërdrejtë me grupet e interesit.
· Të sigurojë arsyetim të qartë dhe analizë të ndikimit për ndryshimet e propozuara, përfshirë kriteret e përzgjedhjes së kategorive, nivelin e tarifave, si dhe efektet e mundshme në konkurrencë, punësim dhe klimë biznesi në Kryeqytet.
Ne vlerësojmë se rregulloret komunale duhet të nxisin rregullsinë, përmirësimin e shërbimeve dhe zhvillimin e qëndrueshëm, duke garantuar trajtim të barabartë për qytetarët dhe bizneset. Prandaj, Komuna e Prishtinës duhet ta zhvillojë këtë proces përmes konsultimeve reale dhe rregullave të drejta, në frymën e qeverisjes së hapur që i shërbejnë kryeqytetit dhe qytetarëve.