Kryetari dhe kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamzanë ka mbajtur një konferencë për media ku ka prezantuar zotimin e katërt të programit të tij qeverisës e që është arsimi, raporton Ekonomia Online.
I pari i PDK-së, Hamza tha se arsimi është investimi më i rëndësishëm që mund ta bëjë një shtet.
“Arsim cilësor, aftësi për të ardhmen dhe mundësi për të rinjtë. Arsimi është investimi më i rëndësishëm që mund të bëjë një shtet. Ai përcakton jo vetëm të ardhmen e individit, por edhe zhvillimin ekonomik, social e demokratik të vendit. Një sistem arsimor cilësor aftëson qytetarët, ndërton ekonomi konkurruese dhe institucione të qëndrueshme. Prandaj, qeveria e udhëhequr nga Partia Demokratike e Kosovës do ta trajtojë arsimin si prioritet kombëtar. Sot sistemi ynë arsimor përballet me shumë sfida serioze: cilësi të pabarabartë në mësimdhënie, mungesë të infrastrukturës moderne, mospërputhje me nevojat e tregut të punës dhe mbështetje të pamjaftueshme për mësimdhënësit dhe studentët”, tha Hamza.
Ai tha se teknologjia nuk e zëvendëson mësuesin. por e fuqizon atë.
“Platforma bashkëkohore të mësimit dhe do të forcohen aftësitë digjitale që nga mosha e hershme. Teknologjia nuk e zëvendëson mësuesin, sepse reforma më e madhe është mësuesi i mirë i gjallë. Ai e fuqizon atë dhe e bën procesin mësimor më efikas, më interaktiv dhe më të përshtatur me kërkesat e kohës. Por, njëkohësisht arsimi profesional do të jetë i lidhur edhe me tregun e punës. Një nga prioritetet tona do të jetë modernizimi i arsimit profesional dhe lidhja e tij e drejtpërdrejtë me nevojat e ekonomisë. Shkollat profesionale do të pajisen me infrastrukturë moderne, ndërsa bizneset do të përfshihen aktivisht në procesin e edukimit praktik të nxënësve”, tha Hamza
Ai premtoi që do të bëjë fondin e bursave për studentët, i cili do të jetë mbi 30 milionë euro.
