Abdixhiku për vdekjen e Bahrije Mustafës: Bashkohu në amshim me Xhemailin

Prishtinë | 04 Qer 2026 | 14:47 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka shkruar për vdekjen e nënës së Besian Mustafës, njëherit bashkëshortja e veprimtarit Xhemail Mustafa.

Abdixhiku, përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, ka shkruar se zonjën Bahrije ishte një grua e rrallë dhe me ikjen e saj nga jeta është larguar edhe një pjesë e çmuar e kujtesës sonë kolektive.

Ai, i ka shprehur ngushëllime familjes Mustafa.

“I dashuri Besian, e dashura Berianë, në emër të gjithë anëtarësisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e nënës suaj. Gjeni forcë në shembullin e saj, ashtu siç ajo gjeti forcë në momentet më të vështira të jetës”, ka shkruar ai.

Postimi i tij i plotë:

Zonja Bahrije ishte një grua e rrallë!

Jeta i kishte ngarkuar mbi supe peshën e një humbjeje të madhe, por ajo kishte ditur ta shndërronte dhimbjen në dinjitet, forcë dhe përkushtim për familjen dhe vendin. Me qetësinë, urtësinë dhe fisnikërinë e saj, ajo mbeti përherë gardiane e kujtimit dhe veprës së bashkëshortit të saj e veprimtarit tonë të madh Xhemail Mustafës.

Bahrije Mustafa na la sot. Me të largohet edhe një pjesë e çmuar e kujtesës sonë kolektive. Për shumë vite, takimet tona të 23 nëntorit, në përvjetorin e Xhemës, bartnin ngrohtësinë e pranisë së saj. Ajo ishte aty, me fjalën e matur, me respektin për miqtë dhe me dashurinë e pashtershme për njeriun që i mungoi për një jetë të tërë.

Çdo takim me të ishte një kujtim i gjallë i qëndresës, besnikërisë dhe fisnikërisë. Edhe kur vitet e kishin lodhur, ajo nuk reshti së ruajturi me krenari kujtimin e Xhemailit dhe vlerat për të cilat ai jetoi.

I dashuri Besian, e dashura Berianë, në emër të gjithë anëtarësisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e nënës suaj. Gjeni forcë në shembullin e saj, ashtu siç ajo gjeti forcë në momentet më të vështira të jetës.

Zonja Bahrije, pusho në paqe. Bashkohu në amshim me Xhemailin, të cilit i qëndrove pranë me dashuri, besnikëri dhe dinjitet deri në fund.

I përjetshëm qoftë kujtimi për zonjën Bahrije!

Të ngjashme