Drejtori ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka reaguar pas një editoriali të të Ngarkuarës me Punë të Shteteve të Bashkuara në Kosovë, duke theksuar se vendi duhet të forcojë partneritetin strategjik me SHBA-në, si në fushën energjetike ashtu edhe në atë të sigurisë.
Duke cituar mesazhin e diplomates amerikane, Miftaraj rikujtoi se Kosova po përballet me një zgjedhje strategjike lidhur me të ardhmen e saj energjetike.
“Kosova tani përballet me një zgjedhje të rëndësishme strategjike. Administrata e presidentit Trump prioritet kryesor e ka uljen e varësisë së Evropës nga energjia ruse. Ne e nxisim Kosovën të hyjë në partneritet afatgjatë energjetik me Amerikën përmes GNL-së për të siguruar të ardhmen e saj energjetike. Së bashku, ne mund të forcojmë sigurinë energjetike dhe t’i rrisim ekonomitë tona krah për krahu”, ka cituar Miftaraj nga editoriali i të Ngarkuarës me Punë të SHBA-së.
Ai ka vlerësuar se mesazhi i ardhur nga diplomacia amerikane është i qartë dhe se Kosova duhet të rreshtohet pa ekuivok pranë aleatit të saj kryesor.
“Amerika po na thotë, a me neve a me Rusinë! Kosova me veprimet e saj ka rrëshqitë drejt sferës së interesit rus. Pa qëllim apo me qëllim, Kosova po punon kundër interesave amerikane”, ka shkruar Miftaraj.
Sipas tij, një qasje e tillë nuk mund të pranohet, duke pasur parasysh rolin që SHBA-ja ka luajtur në momentet më të rëndësishme për Kosovën.
“Kjo nuk guxon dhe nuk mundet mu pranu. Amerika ka qenë me Kosovën në kohët më të vështira. Kosova nuk ka alternativë dhe duhet, DUHET, duhet të jetë krah me krah me Amerikën. Siguria nacionale në Kosovë është e garantuar vetëm në partneritet strategjik me Amerikën”, ka theksuar Miftaraj.