Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, ka marrë pjesë në takimin e përbashkët ndërinstitucional ndërmjet prokurorive dhe gjykatave, të organizuar nga Gjykata Supreme e Kosovës në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Kosovë.
Sipas njoftimit të Sistemit Prokurorial, në takim morën pjesë prokurorë të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, gjyqtarë të Gjykatës Supreme, kryeprokurorë dhe kryetarë të gjykatave të të gjitha niveleve, si dhe ambasadori i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Gerard McGurk.
Në fjalën e tij, Qalaj vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional, duke theksuar se diskutimet e zhvilluara do të ndikojnë në përmirësimin e funksionimit të sistemit të drejtësisë.
“Diskutimet e dala nga ky takim do të ndikojnë për të avancuar sistemin e drejtësisë, për të pasur më shumë suksese, më shumë efikasitet, më shumë cilësi në punën e tyre si prokurorët ashtu edhe gjyqtarët, si dhe do të ndikojnë në unifikimin e praktikave në punën e përditshme”, tha Qalaj.
Ai shtoi se takime të tilla krijojnë hapësirë për adresimin e sfidave dhe përmirësimin e punës së institucioneve të drejtësisë.
“Përmes takimeve të tilla mund të diskutohen çështje me rëndësi që lidhen me përmirësimin e sistemit të drejtësisë dhe mundësojnë përcaktimin e hapave të rinj drejt rritjes së efikasitetit, transparencës dhe besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë”, u shpreh ai.
Gjatë takimit, pjesëmarrësit diskutuan për koordinimin ndërmjet gjykatave dhe prokurorive, produktivitetin e seancave gjyqësore, efikasitetin në trajtimin e rasteve, zbatimin e Udhëzuesit të Gjykatës Supreme për Politikë Ndëshkimore, rritjen e cilësisë së hetimeve dhe vendimmarrjes, si dhe çështje që lidhen me paraburgimin, sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë.