Hamza nga Prizreni: Kosova është në krizë ekonomike, sociale e politike, koha për ndryshim

Prishtinë | 04 Qer 2026 | 19:52 | Nga Ekonomia Online

Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, ka deklaruar në tubimin në Prizren se Kosova po përballet me kriza të shumta dhe se qytetarët kërkojnë ndryshim në qeverisje, raporton Ekonomia Online.

Hamza tha se gjatë fushatës ka takuar mijëra qytetarë, nga të cilët ka dëgjuar shqetësimet, problemet dhe pritjet për të ardhmen.

“Kemi në fund të këtij procesi. Kemi parë takime të tilla masive, plot energji, plot entuziazëm. Kemi biseduar me njerëz. Kemi marrë mendimet e tyre, kemi dëgjuar shqetësimet, kemi dëgjuar hallet, kemi marrë propozime të vlefshme prej tyre. Sigurisht se kanë edhe kritikat e tyre qëllimmira”, tha Hamza.

Sipas tij, një nga përfundimet kryesore të këtyre takimeve është se vendi po kalon një periudhë të vështirë.

“Është një konstatim i përgjithshëm që Kosova është në krizë. Është në krizë ekonomike, krizë sociale, krizë politike, krizë të shpresës. Çka kemi parë këto gjashtë vite? Polarizime, përçarje, sulme. Sulme ndaj opozitës, sulme ndaj mediave, sulme ndaj bizneseve, sulme e bllokada ndaj komunave. Dhe kjo gjendje duhet të ndryshojë. Dhe për këtë qëllim slogani i Partisë Demokratike të Kosovës është: ‘Stop krizës, ndrysho Kosovën!’”, u shpreh ai.

Hamza lavdëroi punën e kryetarit të Komunës së Prizrenit, duke thënë se ai dhe ekipi i tij janë shembull i qeverisjes së mirë nga PDK-ja.

“Qyteti i Prizrenit jo vetëm që ka një histori të ndritur, por ka edhe një të ardhme të ndritur sepse e ka një kryetar i cili punon çdo ditë me ekipin e tij për ta transformuar Prizrenin. Edhe pse është i bukur, po bëhet çdo ditë më i bukur, më i pranueshëm e më i vizitueshëm, jo vetëm nga ne kosovarët, por nga e gjithë bota. Ju jeni dëshmia që Partia Demokratike e Kosovës di me udhëheqë dhe di me kry punë”, deklaroi Hamza.

Ai kritikoi Qeverinë aktuale për mungesë rezultatesh, duke përmendur projektet infrastrukturore të papërfunduara dhe gjendjen në sektorët kyç.

“Qeveritë maten me rezultate, maten me suksese. Çka e karakterizon këtë qeveri? Mospuna, polarizimi. A ka përfunduar ndonjë projekt të rëndësisë kapitale me të cilën mundet me u identifikuar? A është përfunduar rruga Prishtinë–Pejë? A është përfunduar rruga Prishtinë–Mitrovicë? A është përfunduar rruga Prishtinë–Gjilan? A e lidhi Prizrenin me Tetovën? Shëndetësi – çfarë përmirësimesh? Arsim – çfarë gjendje?”, pyeti ai.

Hamza tha se gjatë takimeve me qytetarë ka dëgjuar shqetësime të shumta për mirëqenien ekonomike, shëndetësinë dhe emigrimin.

“Takojmë pensionistë që përballen me dilemën: a me i ble ilaçet apo me ruajtë diçka nga të ardhurat për ta mbyllur muajin? Takojmë të rinj e të reja që kanë dilemën nëse pas studimeve duhet të emigrojnë apo ky vend mund t’u ofrojë një vend pune dhe një jetë të dinjitetshme. Takojmë qytetarë që kanë nevojë për trajtim në spitale dhe pyesin nëse do t’i gjejnë shërbimet e nevojshme, barnat e mjaftueshme dhe mundësinë për t’u trajtuar”, tha ai.

Kandidati i PDK-së u zotua se partia e tij ofron një program të realizueshëm dhe ekipin e nevojshëm për ta zbatuar atë.

“Gjitha këto duhet të ndalen. Ne garojmë me një program të matshëm, me një program të zbatueshëm dhe me një ekip super të mirë që garanton zbatimin e suksesshëm të këtij programi”, shtoi Hamza.

Të ngjashme