Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, në tubimin elektoral në Podujevë, ka prezantuar prioritetet e programit të partisë së tij, duke vënë theks të veçantë te projektet infrastrukturore, integrimi euroatlantik dhe partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, raporton Ekonomia Online.
Duke kritikuar kundërshtarët politikë, Abdixhiku tha se LDK-ja ka projekte të mëdha zhvillimore për vendin, ndërsa sipas tij, qeveria aktuale po merret me projekte të vogla.
“Përbesë, ata e kanë vadën si projekt kryesor. Ne kemi autostradën Ibrahim Rugova, Prishtinë–Podujevë deri në Merdare. Dhe në këtë angazhim tonin, meqë jemi në Llap, nuk mund të flas pa përmendur një gjë jetike, një gjë shumë jetike që po na shpërfaqet këto ditë: paralajmërimi i aleatëve tanë, i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për energjinë dhe lidhjen e Kosovës me ShBA-në”, deklaroi Abdixhiku.
Ai tha se e ardhmja e Kosovës duhet të ndërtohet mbi orientimin euroatlantik dhe partneritetin strategjik me SHBA-në.
“Ambicia jonë duhet të jetë e madhe. Duhet të jetë integrim euroatlantik, anëtarësim në NATO, fuqizim i relacioneve ndërkombëtare të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por mbi të gjitha, të ardhme zhvillimore për qytetarët tanë në Llap dhe gjithandej Kosovës. Sepse kur kemi një Podujevë të fortë, pra kur kemi një Llap të fortë, natyrisht e kemi edhe një Kosovë të fortë”, tha ai.
Abdixhiku shtoi se zhvillimi ekonomik dhe institucional është çelësi për të krijuar perspektivë për qytetarët dhe për të ndalur largimin e të rinjve nga vendi.
“Kur e kemi një Kosovë të fortë, kemi të ardhme për familjet tona këtu, kemi të ardhme për rininë e Kosovës këtu, kemi të ardhme për mësuesit, për mjekët, për shërbyesit publikë, për ushtarët, për policët, për secilin njeri që dëshiron të jetojë në atdheun më të bukur që mund ta ketë ndonjëherë Republika e Kosovës”, u shpreh kandidati i LDK-së.
Ai vlerësoi programin zgjedhor të partisë së tij, duke thënë se ai është hartuar nga një ekip profesionistësh dhe përmban zotime konkrete për qytetarët.
“Pa dyshim që për të bërë një gjë të tillë, LDK-ja ka një program të shkëlqyeshëm politik, një program me 113 zotimet më të mira, të cilat janë bërë nga një ekip i jashtëzakonshëm dhe barten nga një listë e shkëlqyeshme e Lidhjes Demokratike të Kosovës”, tha Abdixhiku para mbështetësve në Podujevë.

