Policia dhe Prokuroria: Janë arrestuar tetë persona për dyshime lidhur me cenimin e procesit zgjedhor në Graçanicë

Prishtinë | 06 Qer 2026 | 15:32 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit kanë njoftuar se mbeten të përkushtuara në mbrojtjen e rendit kushtetues, ligjshmërisë dhe integritetit të procesit zgjedhor në Kosovë, duke theksuar se gjatë javëve të fundit kanë trajtuar një numër të madh informacionesh që lidhen me dyshime për ndërhyrje të jashtme dhe aktivitete të kundërligjshme me qëllim të ndikimit në vullnetin e lirë të qytetarëve.

Në një komunikatë të përbashkët, institucionet theksojnë se ndërhyrjet e jashtme në zgjedhje paraqesin rrezik serioz për demokracinë dhe pavarësinë e vendit.

“Gjatë javëve të fundit, institucionet e zbatimit të ligjit kanë pranuar dhe trajtuar informacione të shumta që ndërlidhen me dyshime për ndërhyrje të jashtme dhe aktivitete të kundërligjshme me qëllim të ndikimit në vullnetin e lirë të qytetarëve gjatë procesit zgjedhor. Ndërhyrjet e jashtme në zgjedhje paraqesin kërcënim serioz për demokracinë, pavarësinë dhe vullnetin e lirë të qytetarëve”, thuhet në komunikatë.

Sipas njoftimit, si rezultat i veprimeve hetimore dhe operacionale, më 19 maj 2026 janë arrestuar shtatë persona në komunën e Graçanicës, të dyshuar për vepra penale që lidhen me cenimin e përcaktimit të lirë të votuesve dhe ushtrimin e presionit politik.

Po ashtu, më 4 qershor 2026 është arrestuar edhe një person tjetër në të njëjtën komunë, nën dyshimin për marrje dhe dhënie të ryshfetit në lidhje me votimin.

“Këto veprime dëshmojnë përpjekjet aktive për ndërhyrje në zgjedhje si dhe vendosmërinë e institucioneve të Republikës së Kosovës për të mbrojtur integritetin e procesit zgjedhor dhe për të luftuar çdo përpjekje për të ndikuar në mënyrë të kundërligjshme në vullnetin e lirë të votuesve”, thuhet më tej në komunikatë.

Policia dhe Prokuroria kanë bërë të ditur se janë duke vazhduar trajtimin e informacioneve të tjera dhe monitorimin e afërt të çdo aktiviteti që mund të cenojë integritetin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit.

Institucionet u kanë bërë thirrje qytetarëve që të votojnë lirshëm dhe të raportojnë çdo rast të dyshuar të presionit apo ndërhyrjes së kundërligjshme.

“U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, pa dallim etnie, gjuhe, përkatësie politike apo bindjeje personale, që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës lirshëm, pa presion, pa frikë, pa ndikime të jashtme dhe të raportojnë çdo rast të dyshuar të presionit, kërcënimit apo çfarëdo forme tjetër të ndërhyrjes së kundërligjshme në procesin zgjedhor”, thotë komunikata.

Të ngjashme