Masa të rrepta sigurie për ndeshjen Shqipëri–Luksemburg

Prishtinë | 06 Qer 2026 | 16:29 | Nga Ekonomia Online

Policia e Shtetit ka publikuar planin e masave për garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes miqësore Shqipëri-Luksemburg, e cila do të zhvillohet këtë të shtunë në orën 20:00, në stadiumin “Air Albania”, në Tiranë.

Policia e Shtetit bën me dije se për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë këtij aktiviteti sportiv janë angazhuar një numër i konsiderueshëm punonjësish policie ndërsa në zbatim të planit të masave, do të ushtrohen kontrolle të imtësishme ndaj tifozëve para hyrjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes së banderolave me përmbajtje raciste, fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike, monedhave metalike, çadrave, çakmakëve, karikuesve të telefonave celularë, mjeteve dhe produkteve kozmetike, si dhe sendeve të tjera të forta që mund të rrezikojnë jetën dhe shëndetin e pjesëmarrësve, shkruan euronews.al.

Për mbarëvajtjen e aktivitetit sportiv, duke filluar nga ora 17:00 deri në përfundim të ndeshjes do të aplikohen kufizime të përkohshme të qarkullimit të mjeteve në disa akse rrugore ndërsa hyrja në stadium e tifozëve do të fillojë në orën 18:00.

Rrugët që do të jenë të bllokuara nga ora 17:00 deri në përfundim të ndeshjes janë:

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga hoteli “Rogner” në drejtim të sheshit “Nënë Tereza”
Rruga “Papa Gjon Pali II”, te kryqëzimi i RTSH-së
Rruga “Dervish Hima”, pranë Ambasadës së SHBA-së
Rruga “Asim Zeneli”, pranë Ambasadës së SHBA-së
Rruga “Themistokli Gërmenji”, në fillim të rrugës
Rruga “Ismail Qemali”, te kryqëzimi i RTSH-së
Rruga “Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës, korridor hyrës për në parkimin e caktuar vetëm për mjetet e autorizuara nga FSHF-ja
Rruga “Abdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit të Librit Universitar
Sheshi “Willson”, ku lëvizja do të devijohet në drejtim të rrugës “Sami Frashëri”, pak para përfundimit të ndeshjes
Rruga e Elbasanit, Unaza dhe bulevardi “Bajram Curri” do të jenë të lira për qarkullimin e mjeteve.

Të ngjashme