E ardhmja e Muriqit lidhet me zgjedhjet te Fenerbahçe

Prishtinë | 07 Qer 2026 | 15:53 | Nga Ekonomia Online

Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, mund të jetë pranë një rikthimi të bujshëm në futbollin turk, me Fenerbahçen që po shfaq interes serioz për shërbimet e tij.

Sipas raportimeve nga mediat turke, kandidati për president të Fenerbahçes, Aziz Yildirim, ka arritur një marrëveshje paraprake me Real Mallorcan dhe me vetë futbollistin për transferimin e tij gjatë afatit kalimtar veror.

Muriqi thuhet se ka pranuar kushtet personale të një kontrate afatgjatë që do ta mbante në klub deri në vitin 2029. Megjithatë, finalizimi i marrëveshjes mbetet i lidhur ngushtë me rezultatin e zgjedhjeve presidenciale në klubin nga Stambolli.

Burime pranë negociatave bëjnë të ditur se Mallorca kishte vlerësuar kartonin e sulmuesit kosovar me rreth 18 milionë euro. Për të lehtësuar transferimin, Muriqi raportohet se ka kërkuar nga drejtuesit e klubit spanjoll të tregojnë fleksibilitet në negociata.

Ndërkohë, përfaqësues të kampit të Aziz Yildirim kanë zhvilluar takime në Palma de Mallorca për të diskutuar detajet e operacionit, ndërsa gara për drejtimin e Fenerbahçes vazhdon të ndikojë në planet e merkatos së klubit.

Një aspekt i rëndësishëm financiar është fakti se Mallorca zotëron të drejtat e plota të lojtarit, por klubi italian Lazio përfiton 45 për qind nga çdo transferim i ardhshëm i Muriqit, bazuar në marrëveshjen e mëparshme mes palëve.

Pas disa sezoneve pozitive në La Liga, ku është shndërruar në një nga figurat kryesore të Mallorcas, rikthimi i Muriqit në Turqi mund të përbëjë një nga transferimet më të rëndësishme të verës për futbollin turk.

Të ngjashme