KQZ nis publikimin e rezultateve për kandidatët për deputetë, të dhënat e para nga 15 komuna

Prishtinë | 08 Qer 2026 | 19:16 | Nga Ekonomia Online

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka nisur transmetimin e rezultateve për kandidatët për deputetë në platformën zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare 2026.

Të dhënat e para të publikuara vijnë nga Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) në 15 komuna: Leposaviq, Novobërdë, Obiliq, Shtime, Shtërpcë, Zubin Potok, Zveçan, Junik, Mamushë, Hani i Elezit, Graçanicë, Ranillug, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut, ku procesi i numërimit dhe verifikimit ka nisur paraditen e së hënës.

Ndërkaq, pasditen e së hënës kanë filluar aktivitetet edhe në QKN-të e 23 komunave të tjera: Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Prizren, Skenderaj, Suharekë, Ferizaj, Viti, Vushtrri dhe Malishevë.

Sipas KQZ-së, në Qendrat Komunale të Numërimit ka filluar procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime pas numërimit të fletëvotimeve.

Pas përfundimit të numërimit për secilin vendvotim, rezultatet do të transmetohen në platformën zyrtare të rezultateve.

Në bazë të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, numërimi i votave për subjektet politike bëhet në vendvotime menjëherë pas përfundimit të votimit, ndërsa numërimi i votave për kandidatët për deputetë zhvillohet në Qendrat Komunale të Numërimit. Krahas këtij procesi, në këto qendra realizohet edhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar pas numërimit të fletëvotimeve.

Të ngjashme