Kandidati i Aleancës për kryeministër, Ardian Gjini, vlerëson se numri i madh i qytetarëve që nuk morën pjesë në votime përbën një mesazh të qartë politik që duhet të lexohet me kujdes nga të gjitha partitë.
Gjini tha se abstenenca mund të interpretohet si një reagim ndaj ngërçit politik.
“Duhet me e përmend edhe numrin e madh të qytetarëve që nuk kanë votuar. Unë mendoj që ata e kanë dërguar një mesazh dhe mesazhin duhet ta lexojë drejt çdokush, ne po provojmë ta lexojmë sa më drejtë që të jetë e mundshme”, tha ai në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova.
Ai shtoi se një pjesë e qytetarëve kanë zgjedhur të mos votojnë si formë proteste ndaj situatës politike dhe mungesës së zhvillimeve në vend.
“Unë mendoj që edhe abstenenca ka qenë një lloj vote kundër ngërçit që po e përcjell Kosovën për më shumë se një vit e gjysmë. Unë po besoj që është protestë e një pjese të qytetarëve që janë mërzitur me stagnimin në Kosovë”, u shpreh Gjini.