Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka shprehur shqetësim të thellë pas diskutimeve të zhvilluara sot në Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), ku është propozuar që në mbledhjen e ardhshme të shqyrtohet mbyllja emisionit “Debat Plus” në Radiotelevizionin Dukagjini.
Sipas AGK-së, deklarata e bërë gjatë mbledhjes nga nënkryetarja e KPM-së, Drita Morina, është e papranueshme dhe përbën, sipas tyre, cenim të lirisë së medias dhe të shprehjes në Kosovë.
Në reagimin e saj, AGK vlerëson se diskutimi i sotëm është vazhdimësi e vendimeve të fundit ndëshkuese ndaj mediave, të cilat i konsideron të pabazuara. Organizata rithekson se nuk është në kompetencën e KPM-së të ndëshkojë mediat apo gazetarët për debatet dhe deklaratat e të ftuarve në emisione.
“Vendimet e paprecedentë me gjoba nga përbërja e re e KPM-së vërtetojnë alarmin e ngritur nga AGK-ja dhe shoqëria civile se ky institucion është vënë në funksion të politikave që synojnë intimidimin e mediave dhe gazetarëve”, thuhet në reagim.
AGK thekson se liria e medias dhe e shprehjes janë të drejta të garantuara në Kosovë, ndërsa pluralizmi mediatik mbetet një vlerë demokratike që nuk mund të zhbëhet përmes vendimeve administrative.
Në fund, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i ka bërë thirrje KPM-së që të heqë dorë nga, siç e quan, praktika e ndëshkimit të mediave dhe të ushtrojë kompetencat e saj në përputhje me mandatin ligjor.