Artan Abazi nuk merr votat e nevojshme për zëvendëskryesues të KGJK-së

Prishtinë | 12 Qer 2026 | 14:10 | Nga Ekonomia Online

Në mbledhjen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), ka dështuar zgjedhja e zëvendëskryesuesit , pasi kandidati i vetëm, Artan Abazi, mori pesë vota pro dhe gjashtë kundër, raporton Ekonomia Online.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Rrustem Thaçi, shpjegoi procedurën që ndiqet për përzgjedhjen e zëvendëskryesuesit.

“Për pozitën e zëvendëskryesuesit ka aplikuar vetëm një kandidat, ku materialin që e keni në dispozicion e keni konsideruar vazhdimisht aq të gjerë dhe të qartë për paraqitjen e kandidaturës së kryesuesit Artan Abazi. Bazuar në nenin 3 të udhëzimit administrativ për përzgjedhjen e kryesuesit të gjykatës, së pari duhet të emërohet komisioni ad hoc në përbërje prej tre anëtarëve, ku njëri nga anëtarët do të jetë edhe kryetar i komisionit. Po ashtu, një anëtar duhet të jetë nga Departamenti për Çështje Ligjore dhe një tjetër nga Departamenti për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore”, tha Thaçi.

Ndërkaq, anëtari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe kandidati për zëvendëskryesues, Artan Abazi, paraqiti vizionin e tij lidhur me këtë pozitë.

“Parimisht dua të theksoj se kandidatura ime nuk bazohet në ndonjë program të veçantë apo të ndryshëm nga ai i Këshillit Gjyqësor dhe ai i kryesuesit të sapozgjedhur, sepse, siç e dini, në bazë të Ligjit për Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Rregullores për funksionalizimin dhe mbarëvajtjen e brendshme të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, pozita e zëvendëskryesuesit është pozitë mbështetëse e kryesuesit të Këshillit dhe, njëkohësisht, pozitë bashkëpunuese me të gjithë anëtarët e tjerë të Këshillit. Por unë mendoj se suksesi ynë qëndron pikërisht në unitetin institucional, në kolegjialitet dhe në përgjegjësinë e përbashkët për realizimin e objektivave të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Nëse më besohet kjo detyrë, për të cilën kam konkurruar, do ta ushtroj me përkushtim të plotë dhe duke bashkëpunuar ngushtë me secilin prej jush, në funksion të forcimit të pavarësisë, integritetit dhe efikasitetit të sistemit gjyqësor të Republikës së Kosovës.

Unë realisht nuk e shoh këtë pozitë të zëvendëskryesuesit si një pozitë individuale, por si një përgjegjësi kolektive, ku suksesi i njërit është sukses i të gjithëve dhe ku interesi i institucionit duhet të jetë gjithmonë mbi interesin personal. Prandaj, nëse më besohet kjo pozitë, ju siguroj se do të jem një zë i bashkëpunimit, i respektit të ndërsjellë dhe i përkushtimit ndaj misionit tonë të përbashkët në shërbim të sistemit gjyqësor të Republikës së Kosovës”, tha ai.

Anëtari dhe gjyqtari, Fahret Vellija tha se shpallja e konkursit dhe mosshkuarja në raund të dytë është vendim i duhur.

“Në rastin konkret unë mendoj, meqenëse ne i kemi shumicën e votave që janë, ne kemi një shumicë votash në fakt që janë kundër, i bie që ky Këshill ka marrë vendim. Shumica e votave në rastin konkret ekziston, domethënë shumica e votave është kundër. Prandaj kjo që ju e thatë, përsëritja e konkursit, unë mendoj që ky vendim e ka marrë Këshilli Gjyqësor i Kosovës sot. Shumica e votave kur nuk arrihet, si në rastin e Gjakovës që u përmend për kryetarin e Gjakovës, nuk kemi pasur votat as kundër. S’ka pasur vota kundër, por kemi pasur vota në rastin konkret sikurse këtë, që kemi pasur rastin tek zgjedhja e kryesuesit. Kur përfundon pesë me pesë dhe një votë është e pavlefshme, kemi një përsëritje të shkojmë në raundin e dytë. Po në momentin që kemi gjashtë vota, ose shumicën e votave të anëtarëve të këtij Këshilli që kanë vendosur kundër, i bie që ky Këshill ka marrë vendim. Ai vendim është përfundimtar këtu, sipas mendimit tim, dhe nuk ka nevojë fare me shku në raundin e dytë të zgjedhjes”, tha ai.

Ndërkohë, mbledhja vazhdoi me një pauzë pesëminutëshe, pasi Këshilli nuk vendosi nëse procesi i përzgjedhjes duhej të vazhdonte në raundin e dytë.

Pas pauzës, kryesuesi sqaroi se do të rishpallet konkursi për pozitën e zëvendëskryesuesit.

“Sa i përket pikës së dytë, shpallet konkursi”, tha ai.

Të ngjashme