Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka hapur ekspozitën fotodokumentare “KFOR and Kosova +25” për nder të 27 vjetorit të ditës së Çlirimit të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Zëvendesministrja në detyrë e Kulturës dhe Turizmit, Nora Arapi Krasniqi në hapje të ekspozitës u shpreh se fotografitë e realizuara rikthejnë në kohën kur Kosova po ngritej.
“Fotografitë e realizuara në vitet 2000 dhe 2001 na rikthejnë në një kohë kur vendi ynë po ngrihej nga plagët e luftës dhe po hidhte hapat e parë drejt rindërtimit, stabilitetit dhe zhvillimit. Kjo ekspozitë na kujton se liria dhe paqja nuk janë të dhëna përgjithmonë. Ato janë rezultat i sakrificës së popullit tonë, i rezistencës së tij të pandërprerë dhe i mbështetjes së palëkundur të aleatëve tanë ndërkombëtarë”, tha ajo.
Në ekspozitë drejtoresha e biblotekës, Blerina Rogova Gaxha tha se 12 qershori është kthesë e madhe për ne dhe vendin tonë.
“12 qershori është një datë historike dhe një kujtesë e gjallë, e një kthesë të madhe në jetën tonë dhe në jetën e vendit tonë. Dhe pikërisht me këtë ditë ekspozita na fton që përtej narrativave zyrtare të ndalemi te përjetimet e njeriut, te përjetimet e historisë individuale dhe te kujtesa e përbashkët e cila na ka formësuar si shoqëri. Ekspozita ‘KFOR and Kosovo +25’ sjell rrëfimin vizual mbi Kosovën e pasluftës, rrëfim i cili i afrohet historisë përmes dimensionit njerëzor, pra përmes dimensionit human” tha ajo.
