Qeveria në detyrë emëron Këshillin e Kosovës për Raportim Financiar

Prishtinë | 12 Qer 2026 | 20:50 | Nga Ekonomia Online

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka zhvilluar një mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar disa vendime të rëndësishme që lidhen me funksionimin e institucioneve, financimin e projekteve kapitale dhe përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare të vendit.

Në kuadër të vendimeve të miratuara, Qeveria ka emëruar anëtarët e rinj të Këshillit të Kosovës për Raportim Financiar. Në përbërjen e re të këtij këshilli janë emëruar: Rrezarta Korbaj, kryesuese, si dhe Kimete Zekaj, Vlora Prenaj, Samir Lleshi, Fadil Sallteku, Kosovare Demi-Rama dhe Altin Sahiti, anëtarë.

Po ashtu, është miratuar kërkesa e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit për ndarjen e mjeteve buxhetore në vlerë prej 122 mijë eurosh. Këto mjete do të shfrytëzohen për financimin e projekteve kapitale “Renovimi i objektit të Qendrës së Panairit në Bërnicë” dhe “Regjistri për Pronarët Përfitues”.

Në mbledhjen elektronike është miratuar edhe vendimi për autorizimin e pagesës në shumën prej 154 mijë eurosh për Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), me qëllim të rritjes së kuotës së kapitalit të Qeverisë së Republikës së Kosovës në këtë institucion financiar ndërkombëtar.

Qeveria në detyrë ka vlerësuar se këto vendime kontribuojnë në forcimin e qeverisjes financiare, mbështetjen e projekteve zhvillimore dhe avancimin e bashkëpunimit të Kosovës me institucionet financiare ndërkombëtare.

Të ngjashme