Në orët e para të së dielës, në Kanalin Anglez, forcat e armatosura britanike kanë ndaluar një cisternë nafte të lidhur me të ashtuquajturën “flotë e fshehtë” ruse.
Kështu ka njoftuar kryeministri britanik, Keir Starmer, raporton BBC.
“Kjo ndërhyrje e suksesshme i jep një goditje tjetër Rusisë dhe u kujton atyre që financojnë luftën e Vladimir Putinit në Ukrainë se nuk do t’i lejojmë të fshihen”, ka thënë Starmer.
Kurse, sipas një deklarate të Ministrisë britanike të Mbrojtjes, anija cisternë Smyrtos do të mbahet nën kontroll dhe monitorim pranë bregdetit jugor të Anglisë ndërsa vazhdojnë hetimet.
Ministri britanik i Mbrojtjes, Dan Jarvis, ka deklaruar se Rusia mbështetet te flota e saj e fshehtë për të financuar luftën në Ukrainë dhe se ndalimi i cisternës përbën një goditje ndaj përpjekjeve të Kremlinit për të anashkaluar sanksionet ndërkombëtare.
Operacioni u mbështet gjithashtu nga avionë të Grupit Ajror Detar, një avion patrullues Boeing P-8 Poseidon i RAF-it, si dhe anijet luftarake HMS Sutherland dhe HMS Ledbury.
Sipas autoriteteve britanike, Rusia ka krijuar një rrjet prej më shumë se 700 cisternash me struktura pronësie të paqarta për të shmangur sanksionet e vendosura ndaj eksporteve të saj të naftës.
Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar vlerëson se kjo “flotë e fshehtë” transporton rreth 75 për qind të naftës ruse që i nënshtrohet sanksioneve, duke siguruar një burim jetik të ardhurash për Kremlinin.