Një 27-vjeçar ka humbur jetën të dielën si pasojë e plagëve të marra nga një mjet i mprehtë gjatë një përleshjeje mes dy familjeve në fshatin Kobaj të Prizrenit.
Si pasojë e incidentit, lëndime serioze ka pësuar edhe babai i viktimës, një 57-vjeçar, i cili po vazhdon trajtimin mjekësor në Spitalin Rajonal të Prizrenit.
Lidhur me rastin ka folur mjeku kujdestar në Emergjencën e Prizrenit, Kujtim Kryeziu, i cili ka bërë të ditur se i riu ka mbërritur në spital me plagë fatale në gjoks dhe se përpjekjet për t’ia shpëtuar jetën kanë qenë të pamundura.
“Rreth orës 12:00 erdhi pacienti së bashku me prindin, me një person më të moshuar. Pacienti i ndjerë kishte lëndim fatal në regjionin e gjoksit, me siguri ishte prekur zemra. Ka qenë i pamundur reanimimi i mëtejmë dhe është konstatuar vdekja e pacientit”, ka deklaruar Kryeziu për Klan Kosovën.
Ai ka bërë të ditur se edhe 57-vjeçari kishte pësuar lëndime në gjoks, por pa prekje të zemrës.
“Pacienti tjetër, rreth 57 vjeç, ka qenë po ashtu me lëndim në regjionin e gjoksit në anën e majtë, por nuk është prekur zemra. Është pranuar për trajtim të mëtejmë në repartin e Kirurgjisë dhe vazhdon të mjekohet. Gjendja e tij për momentin është stabile pas intervenimit kirurgjik”, ka shtuar ai.
Autoritetet nuk kanë bërë ende të ditura motivet që çuan në përleshjen tragjike, ndërsa rasti po hetohet nga organet kompetente për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes.