Gjykata Supreme e Kosovës ka aprovuar kërkesën për masë të përkohshme të sigurimit dhe ka vendosur pezullimin e procedurës së gradimit në Policinë e Kosovës, e cila ishte shpallur më 28 maj 2026 mbi bazën e Udhëzimit Administrativ nr. 01/2026 për Procedurën e Gradimit të Zyrtarëve Policorë.
Sipas njoftimit të Gjykatës Supreme, me aktvendimin PA.nr.16/2026 është ndaluar përkohësisht zbatimi i nenit 7, paragrafët 2, 3, 4 dhe 5 të këtij udhëzimi administrativ, deri në marrjen e një vendimi përfundimtar në procedurën gjyqësore.
Padia është paraqitur më 10 qershor nga V.Z. nga Vitia, e cila ka kërkuar shpalljen e paligjshmërisë dhe shfuqizimin e pjesshëm të dispozitave të kontestuara, duke pretenduar se ato cenojnë parimin e meritokracisë dhe trajtimit të barabartë në procesin e gradimit.
Sipas pretendimeve të paraqitura në padi, dispozitat e kontestuara u mundësojnë zyrtarëve policorë me të paktën dhjetë vjet përvojë aktive në Policinë e Kosovës, të cilët nuk kanë përfituar gradim gjatë kësaj periudhe, të aplikojnë për dy grada më të larta njëherazi, pa iu nënshtruar kufizimeve që lidhen me kohëzgjatjen minimale të qëndrimit në gradën paraprake.
Paditësja ka argumentuar se një rregullim i tillë “krijon avantazh për një kategori të caktuar zyrtarësh policorë në raport me ata që kanë kaluar nëpër procedurat e rregullta të gradimit dhe kanë ushtruar detyrat, përgjegjësitë dhe përvojën profesionale të lidhura me gradat përkatëse”.
Ajo po ashtu ka ngritur shqetësime lidhur me ndikimin që këto dispozita mund të kenë në strukturën hierarkike dhe zinxhirin komandues brenda Policisë së Kosovës.
“Dispozitat e kontestuara mund të cenojnë strukturën hierarkike dhe zinxhirin komandues brenda Policisë së Kosovës, pasi u mundësojnë zyrtarëve policorë që nuk kanë ushtruar funksione mbikëqyrëse dhe udhëheqëse në gradën e Rreshterit të konkurrojnë drejtpërdrejt për gradën Toger, në të njëjtën procedurë me zyrtarët që kanë kaluar proceset paraprake të gradimit dhe kanë fituar përvojën përkatëse në pozita mbikëqyrëse”, thuhet në arsyetimin e padisë.
Pas shqyrtimit të kërkesës dhe dokumentacionit të paraqitur, Gjykata Supreme ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e masës së posaçme të sigurimit, të parapara me nenin 100 të Ligjit për Konfliktet Administrative.
Në arsyetimin e saj, Gjykata thekson se “paditësja ka ngritur pretendime serioze lidhur me ligjshmërinë e dispozitave të kontestuara, duke përfshirë pretendimet për tejkalim të autorizimit ligjor, cenim të parimit të meritokracisë, ndikim në hierarkinë dhe zinxhirin komandues, si dhe mungesë proporcionaliteti dhe arsyetimi”.
Gjykata ka vlerësuar gjithashtu se ekziston rreziku që vazhdimi i procedurës së gradimit të shkaktojë pasoja që do të ishin të vështira ose të pamundura për t’u korrigjuar më vonë.
“Në vlerësimin paraprak të kërkesës, Gjykata arriti në përfundimin se ekziston rreziku real i shkaktimit të një dëmi të rëndë dhe të pakthyeshëm në rast të vazhdimit të zbatimit të dispozitave të kontestuara dhe procedurave të gradimit të bazuara në to. Gjykata vlerësoi gjithashtu se pezullimi i përkohshëm i zbatimit të këtyre dispozitave nuk cenon rëndë interesin publik, ndërsa është në përputhje me parimin e proporcionalitetit”, thuhet në vendim.
Sipas Gjykatës Supreme, përfundimi i procedurës së gradimit para se të merret një vendim përfundimtar për ligjshmërinë e dispozitave të kontestuara mund të krijonte pasoja të pakthyeshme.
“Duke pasur parasysh se procedura e gradimit është iniciuar mbi bazën e dispozitave që janë objekt i shqyrtimit gjyqësor dhe se përfundimi i saj para vendosjes meritore do të mund të krijonte pasoja të pakthyeshme, Gjykata konsideroi se ruajtja e gjendjes ekzistuese përmes masës së posaçme të sigurimit është e nevojshme deri në vendimin përfundimtar”, theksohet në arsyetim.
Gjykata Supreme ka sqaruar se ky vendim është marrë vetëm në kuadër të shqyrtimit paraprak të çështjes dhe nuk paragjykon epilogun përfundimtar të padisë. Vendimi përfundimtar për ligjshmërinë e dispozitave të kontestuara të Udhëzimit Administrativ nr. 01/2026 do të merret pas shqyrtimit të plotë të rastit në procedurën gjyqësore përkatëse.