Ministria e Ekonomisë ka ndarë 300 mijë euro për realizimin e dy projekteve që synojnë përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm për banorët e disa fshatrave të Komunës së Gjakovës, si dhe për projektin “Gjakova III”.
Në ceremoninë e nënshkrimit të kontratës mori pjesë edhe Kryeshefi Ekzekutiv i K.R.U. “Gjakova”, Hasan Krasniqi, ndërsa investimi do të përfshijë zgjerimin dhe rehabilitimin e infrastrukturës së ujësjellësit në zonat ku nevoja për ndërhyrje është më e madhe.
Sipas njoftimit, nga ky investim do të përfitojnë banorët e fshatrave Lugbunar, Osek-Hylë, Skivjan, Dol, Lipovec dhe Gërçinë, si dhe do të mbështetet realizimi i projektit “Gjakova III”.
“Përmes dy projekteve do të mundësohet zgjerimi dhe rehabilitimi i infrastrukturës së ujësjellësit në zonat ku nevoja është më e madhe. Ky investim do të sigurojë furnizim më të qëndrueshëm me ujë të pijshëm, ulje të humbjeve në rrjet dhe shërbime më cilësore për qytetarët”, thuhet në njoftim.
Kryeshefi Ekzekutiv i K.R.U. “Gjakova”, Hasan Krasniqi, e ka mirëpritur mbështetjen financiare të Ministrisë së Ekonomisë, duke theksuar rëndësinë e investimeve në sektorin e ujësjellësit.
“Kompania që unë udhëheq do të vazhdojë të realizojë projekte që ofrojnë zgjidhje konkrete për qytetarët, veçanërisht në sektorin e furnizimit me ujë, me qëllim përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve dhe cilësisë së jetës së banorëve”, ka deklaruar Krasniqi.
Ky investim pritet të ndikojë në rritjen e cilësisë së shërbimeve të ujësjellësit dhe në sigurimin e një furnizimi më të qëndrueshëm me ujë të pijshëm për banorët e zonave përfituese.