Man Utd i bashkohet garës së ashpër për transferimin e yllit të Barcelonës

Prishtinë | 18 Qer 2026 | 16:39 | Nga Ekonomia Online

Manchester United është i interesuar për transferimin e Marc Casados për të forcuar repartin e mesfushës para sezonit të ri, raportojnë mediat spanjolle.

Drejtuesit e klubit nga “Old Trafford” e kanë prioritet absolut shtimin e opsioneve cilësore në mesfushë, në prag të një sezoni që pritet të jetë mjaft sfidues.

Pas sigurimit të kualifikimit në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve, kërkesat e stafit teknik janë rritur ndjeshëm.

Trajneri Michael Carrick synon të ndërtojë një skuadër konkurruese që mund të përballet me sukses me rikthimin në elitën e futbollit evropian.

“Djajtë e Kuq” tashmë kanë kompletuar transferimin e mesfushorit Ederson nga Atalanta për një shumë të konsiderueshme, por drejtuesit e klubit vazhdojnë të kërkojnë një profil plotësues që mund të sjellë ekuilibër taktik dhe intensitet në fazën defensive.

Në këtë drejtim, Manchester United po monitoron nga afër situatën e Marc Casados, i cili konsiderohet një nga emrat më interesantë të afatit kalimtar të verës.

Mesfushori 22-vjeçar vlerësohet lart nga stafi teknik anglez për aftësinë e tij në rikuperimin e topit, cilësi që e bëjnë një profil ideal për repartin e mesfushës.

Megjithëse pati një periudhë pozitive nën drejtimin e trajnerit gjerman Hansi Flick, roli i Casados në skuadër është zbehur gradualisht. Shfaqja e talenteve të tjerë nga akademia, si Marc Bernal, ka ndikuar që ai të humbasë statusin e padiskutueshëm në formacion.

Gjatë sezonit të kaluar, Casado ishte titullar në vetëm 10 ndeshje të La Ligës, ndërsa në total regjistroi 34 paraqitje në të gjitha garat me ekipin katalanas.

Të ngjashme