Drejtori i Atleticos së Madridit, Miguel Angel Gil, ka shpërthyer me kritika ndaj Barcelonës për interesimin e saj ndaj Julian Alvarez, duke paralajmëruar madje edhe një ankesë zyrtare në FIFA.
Kjo vjen pasi sulmuesi argjentinas shprehu dëshirën për t’u larguar nga Atletico gjatë kësaj vere, ndërsa Barcelona raportohet të jetë destinacioni i tij i preferuar.
“Barcelona nuk na respekton dhe beson se mund të na nënvlerësojë. Ndjej një trishtim të madh për deklaratat e Julian Alvarez”.
Drejtori i klubit madrilen shtoi se momenti i zgjedhur nga lojtari për të folur nuk ishte i duhuri, duke kujtuar se dita i takonte suksesit të Argjentinës dhe Lionel Messit.
“Nuk ishte dita e duhur për të bërë ato deklarata. Ishte dita e Messit dhe e kombëtares argjentinase, jo vetëm e Julianit. Vitin e kaluar, Barcelona bëri diçka shumë të ngjashme me Nico Williams dhe Athletic Bilbaon”.

“Julian ka një ëndërr dhe edhe ne te Atletico kemi ëndrrat tona. Është e vërtetë që ai foli me ne, por është po aq e vërtetë që ai e njeh shumë mirë qëndrimin tonë, sepse kemi qenë shumë të qartë: Atletico nuk dëshiron ta shesë”.
“Ai është një lojtar i madh dhe ne jemi shumë krenarë që e kemi në skuadrën tonë”.
Në fund, drejtori i Atleticos konfirmoi se klubi do të ndërmarrë hapa zyrtarë kundër Barcelonës.
“Përgjegjësia jonë është të mbrojmë interesat e Atleticos dhe për këtë arsye do të paraqesim një ankesë në FIFA kundër Barcelonës për negociata me një lojtar që ka kontratë aktive gjatë periudhës së mbrojtur”, përfundoi Gil.
Atletico ndërkohë refuzoi 100 milionë euro nga Barcelona, si dhe 150 milionë euro për yllin argjentinas nga Real Madridi.