Harry Maguire mirëpret rikthimin e Marcus Rashfordit te Man Unitedi

Prishtinë | 29 Qer 2026 | 13:37 | Nga Ekonomia Online

Harry Maguire beson se Marcus Rashford mund të qëndrojë ende te Manchester United këtë verë, nëse një vendim i tillë do t’u përshtatej të gjitha palëve.

Rashford kaloi gjysmën e dytë të sezonit 2024/25 në huazim te Aston Villa, ndërsa sezonin e fundit e kaloi te Barcelona, duke lënë të kuptohej se aventura e tij në Manchester po i afrohej fundit.

28-vjeçari pati një sezon të suksesshëm në Spanjë, duke ndihmuar Barcelonën të fitojë La Ligan dhe Superkupën e Spanjës. Sulmuesi anglez realizoi 14 gola dhe kontribuoi me 11 asistime në të gjitha garat me fanellën blaugrana.

Me 25 kontribute direkte në gola, Rashford ishte futbollisti i katërt më produktiv i Barcelonës gjatë sezonit, pas Lamine Yamal, Fermin Lopez dhe Raphinhas.

Forma e tij e mirë i siguroi gjithashtu një vend në përfaqësuesen e Anglisë për Kupën e Botës, megjithatë e ardhmja e tij në Barcelonë është vënë në pikëpyetje pas transferimit të Anthony Gordonit për 70 milionë funte.

Raportimet sugjerojnë se Rashford ka një klauzolë lirimi prej 40 milionë funtesh për klubet angleze, me përjashtim të Manchester Cityt dhe Liverpoolit, por Maguire do ta mirëpriste rikthimin e tij në “Old Trafford”.

“Kam një marrëdhënie të shkëlqyer me Marcusin dhe kemi kaluar shumë momente të mira së bashku gjatë viteve”.

“E di se çfarë lojtari i jashtëzakonshëm mund të jetë ai. Besoj se gjithçka varet nga klubi dhe nga Marcus për të gjetur një marrëveshje të përbashkët”.

“Sigurisht, nëse Marcus rikthehet, ne duam që ai të kthehet për të luajtur dhe të jetë i lumtur dhe me besim në vetvete”.

“Duhet të jetë zgjedhja e duhur për të dhe për klubin, por të gjithë e dinë se sa lojtar i madh mund të jetë Marcus për cilindo klub ku do të luajë sezonin e ardhshëm”.

Që nga debutimi me ekipin e parë të Manchester United në sezonin 2015/16, Rashford ka zhvilluar 287 ndeshje me fanellën e Djajve të Kuq, duke realizuar 87 gola dhe duke dhënë 40 asistime.

Të ngjashme