Maroku eliminon Holandën pas penalltive

Prishtinë | 30 Qer 2026 | 09:19 | Nga Ekonomia Online

Maroku është kualifikuar në fazën e 1/16-ave të Kupës së Botës, pasi eliminoi Holandën me rezultat 3-2 pas penalltive.

Koha e rregullt dhe vazhdimet u mbyllën në barazim 1-1 në stadiumin “Estadio Monterrey”.

Portierët protagonistë në pjesën e parë

Ndeshja nisi me ritëm të lartë dhe duele të forta, ndërsa Holanda kishte më shumë kontroll mbi topin. Megjithatë, rastet e pastra munguan.

Portieri holandez Bart Verbruggen u shndërrua në heroin e ekipit të tij me dy pritje spektakolare, fillimisht ndaj Neil El Aynaouit dhe më pas ndaj një goditjeje të fuqishme të Achraf Hakimit.

Në anën tjetër, edhe portieri maroken Yassine Bounou reagoi mirë, duke ndalur një goditje të rrezikshme të Micky van de Ven.

Gakpo kalon Holandën në epërsi

Maroku e nisi më mirë pjesën e dytë dhe krijoi disa raste të mira me Brahim Díaz, Ayyoub Bouaddi dhe Achraf Hakimin, i cili goditi edhe traversën.

Megjithatë, ishte Holanda ajo që kaloi në avantazh në minutën e 71-të. Pas një aksioni të ndërtuar nga zëvendësuesi Wout Weghorst dhe Crysencio Summerville, Cody Gakpo shënoi me një goditje të ulët për rezultatin 1-0.

Maroku barazon në fund

Kur dukej se Holanda po shkonte drejt kualifikimit, Maroku reagoi në minutat shtesë.

Chemsdine Talbi harkoi saktë në zonë, ndërsa Issa Diop realizoi me kokë për ta dërguar ndeshjen në vazhdime.

Në kohën shtesë, Verbruggen realizoi një tjetër pritje spektakolare ndaj Soufiane Rahimit, duke mbajtur Holandën në lojë.

Penalltitë vendosin fituesin

Nga pika e bardhë, drama vazhdoi deri në fund.

Neil El Aynaoui humbi penalltinë e parë për Marokun, por Holanda nuk përfitoi, pasi Justin Kluivert goditi shtyllën.

Më pas Quinten Timber gaboi për “Tulipanët”, ndërsa edhe Achraf Hakimi humbi për Marokun.

Në momentin vendimtar, portieri Bounou ndali penalltinë e Crysencio Summerville, duke i hapur rrugën Ismael Saibarit, i cili shënoi penalltinë e kualifikimit dhe vulosi fitoren 3-2.

Maroku siguroi kështu kualifikimin në fazën tjetër të Kupës së Botës, ndërsa Holanda i dha fund serisë prej 11 ndeshjesh pa humbje në garat zyrtare. /GazetaExpress/

Të ngjashme