Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, priti zëvendësministrin italian të Punëve të Jashtme, Edmondo Cirielli, me të cilin diskutoi për marrëdhëniet dypalëshe, integrimin e Kosovës në BE dhe NATO, si dhe zhvillimet politike në vend, sipas komunikatës së MPJD-së.
Të dy palët, thuhet në njoftim, theksuan rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit ekonomik dhe projekteve të përbashkëta.
“Në takim u diskutua për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Italisë, procesin e integrimit të Kosovës në BE dhe anëtarësimin në NATO, si dhe për zhvillimet aktuale politike në Kosovë, përfshirë procesin e formimit të qeverisë së re. Vëmendje e veçantë iu kushtua bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve, me theks në nevojën për intensifikimin e shkëmbimeve tregtare, rritjen e ndërveprimit ekonomik dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta që do ta thellonin më tej partneritetin Kosovë-Itali”, thuhet në njoftim.
Konjufca falënderoi Italinë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, duke e cilësuar atë një prej partnerëve më të rëndësishëm ndërkombëtarë.