Deputeti i rizgjedhur i Kuvendit të Kosovës, Avdullah Hoti, së bashku me Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, kanë vizituar Shoqatën e Pavarur të Gruas “Hareja”, ku janë njohur nga afër me aktivitetet dhe punën që organizata zhvillon në fuqizimin e grave dhe zhvillimin e komunitetit.
Gjatë vizitës, Hoti vlerësoi angazhimin dhe përkushtimin e shoqatës, duke e cilësuar punën e saj si shembull të shërbimit ndaj qytetarëve dhe të kontributit në avancimin e rolit të grave në shoqëri.
Ai theksoi se institucionet do të vazhdojnë të mbështesin iniciativa të tilla, me synimin për të krijuar më shumë mundësi që misioni i organizatës të vazhdojë dhe të zgjerohet edhe në të ardhmen.
Në të njëjtën kohë, Hoti shprehu falënderim për ambasadorin britanik Jonathan Hargreaves për vizitën, mbështetjen dhe interesimin e vazhdueshëm për nismat që fuqizojnë gratë dhe kontribuojnë në zhvillimin e shoqërisë në Kosovë.
Sipas Hotit, bashkëpunime të tilla ndërmjet institucioneve dhe partnerëve ndërkombëtarë dëshmojnë se, përmes angazhimit të përbashkët, mund të arrihen rezultate më të mëdha në të mirë të komunitetit.