Abdixhiku: Me Kurtin u dakorduam të vazhdojmë komunikimet, si formë e shmangies së zgjedhjeve

Prishtinë | 10 Kor 2026 | 20:40 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pas takimit me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, deklaroi se janë dakorduar që të vazhdojnë me komunikim drejt një zgjidhjeje të bllokadës institucionale, raporton Ekonomia Online.

“Ishte takimi i parë menjëherë pas certifikimit të rezultatit zgjedhor nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Folëm për stabilitetin e domosdoshëm institucional në Republikën e Kosovës dhe shmangien e domosdoshme të zgjedhjeve të ardhshme të katërtat me radhë në më pak se një vit e gjysmë. Në këtë frymë, u angazhuam për diskutime rreth parimeve thelbësore rreth të cilave duhet të zhvillohen këto diskutime, vlerave dhe ideve po ashtu programore rreth të cilave dy palët kanë interes. Dhe në këtë fazë u dakorduam të vazhdojmë tutje me komunikim si formë e vetme e mundësisë së shmangen së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në vendin tonë, po edhe njëherë po them të katërtat me radhë”, tha Abdixhiku.

I pyetur se në çfarë cilësie mori pjesë ish presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ai u përgjigj shkurt se ishte bartëse e listës së LDK-së.

“Ishte e bartëse e listës së Lidhjes Demokratike të Kosovës”, tha Abdixhiku.

Ai theksoi se diskutuan mbi parimet, që sipas tij, ato parime përkojnë me stabilitet institucional dhe jo zgjedhje.

“Ne diskutuam për parimet rreth të cilave duhet të dakordohemi. Dhe këto parime për ne, për LDK-në, janë të qarta. Ato përkojnë jo vetëm stabilitet institucional që nga tash për një kohë të gjatë dhe të qëndrueshme, pra për t’i shmangur zgjedhjet, por dhe kërkojnë të domosdoshmen, balancën demokratike. Në cilën balancë, të gjitha palët kontribuojnë me vetëdije të plotë për t’i ofruar vendit institucione të qëndrueshme, jo vetëm kontrolluese ndaj njëra-tjetrës, por kontribuuese ndaj një vlere të përbashkët që mund ta kemi”, tha Abdixhiku.

Të ngjashme