Djali i princeshës së Norvegjisë lirohet nga burgu, lihet në arrest shtëpie pranë nënës pas transplantit të mushkërive

Prishtinë | 14 Kor 2026 | 19:01 | Nga Ekonomia Online

Marius Borg Høiby, djali i princeshës së Norvegjisë, Mette-Marit, do të mund të rikthehet në shtëpi nën masën e arrestit shtëpiak, për të qenë pranë nënës së tij, e cila po rikuperohet pas një transplanti të mushkërive.

Høiby ishte dënuar një muaj më parë në shkallë të parë për dy raste përdhunimi dhe dhunë në familje ndaj një ish-partnereje, por ai ka apeluar vendimin. Deri në pritje të procesit të ri gjyqësor, djali i madh i princeshës Mette-Marit kishte qëndruar në burg.

Pas një muaji paraburgim, autoritetet kanë vendosur transferimin e tij në arrest shtëpiak, me kushtin që të mbajë një byzylyk elektronik monitorimi.

Një nga arsyet e paraqitura për kërkesën për një masë alternative sigurie lidhet me gjendjen e brishtë shëndetësore të princeshës Mette-Marit, e cila ndodhet në fazën e rikuperimit pas transplantit të mushkërive.

“Familja ime ka kaluar një periudhë mjaft të vështirë. E gjithë familja është pranë nënës sime”, deklaroi 29-vjeçari Høiby. “Të mos jem në gjendje të jap kontributin tim për ta mbështetur nënën time është jashtëzakonisht e vështirë”, shtoi ai, sipas transmetuesit publik norvegjez NRK.

Marius Borg Høiby është djali i madh i princeshës së kurorës Mette-Marit nga një lidhje e mëparshme, përpara martesës së saj me princin e kurorës Haakon të Norvegjisë. Ai nuk është pjesë zyrtare e familjes mbretërore norvegjeze. /Panorama

Të ngjashme