Rama: Po lirohen banesat komunale të shfrytëzuara në mënyrë të paligjshme

Prishtinë | 18 Kor 2026 | 15:10 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se Komuna po vazhdon aksionin për lirimin e banesave komunale që, sipas tij, prej vitesh janë shfrytëzuar në mënyrë të paligjshme.

Rama tha se bëhet fjalë për banesa që janë përdorur pa kontrata dhe pa bazë ligjore, duke theksuar se institucionet e Kryeqytetit do të vazhdojnë të veprojnë për mbrojtjen e pronës publike.

“Po vazhdojmë me vendosmëri lirimin e banesave komunale që për vite me radhë janë shfrytëzuar në mënyrë të paligjshme, pa kontrata dhe pa bazë ligjore”, ka shkruar Rama.

Ai theksoi se prona publike duhet të administrohet në përputhje me ligjin dhe jo të trajtohet si pronë private.

“Prona publike nuk mund të uzurpohet e as të trajtohet si pronë private. Detyrimi ynë është ta mbrojmë, ta kthejmë në funksion të ligjit dhe ta menaxhojmë me përgjegjësi e transparencë”, u shpreh ai.

Kryetari i Prishtinës theksoi se Komuna do të vazhdojë veprimet kundër uzurpimit të pronës komunale.

“Kryeqyteti do të vazhdojë të veprojë pa kompromis ndaj çdo uzurpimi të pronës komunale!”, ka shtuar Rama.

Të ngjashme