Nis peticioni “Për një Ferizaj pa Uroshevac”, Aliu hedh nënshkrimin e parë

Prishtinë | 18 Kor 2026 | 15:41 | Nga Ekonomia Online

Në Ferizaj ka nisur sot mbledhja e nënshkrimeve për peticionin “Për një Ferizaj pa Uroshevac”. Kësaj iniciative i është bashkuar edhe kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, i cili ishte edhe i pari që e nënshkroi peticionin.

Ai shtoi se kjo nismë duhet të shërbejë edhe si shtysë për institucionet qendrore që të shqyrtojnë emërtimet e vendbanimeve në Kosovë.

“Është një drejtësi, sepse Ferizaj ka lindur 153 vjet më parë me emrin Ferizaj, ndërsa emri Urosevac është vendosur nga administrimi i dhunshëm pas vitit 1912 le të shërbejë ky peticion, le të shërbejë kjo nismë nga Ferizaj që institucionet e nivelit qendror të formojnë komisione profesionale, komisione të kësaj çështje në mënyrë që pastaj të vënë në diskutim dhe në vendimmarrje të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, deklaroi Aliu.

Iniciatori i peticionit, Bashkim Fazliu, tha se peticioni synon largimin e emrit “Urosevac” nga përdorimi zyrtar, mirëpo që nuk është drejtuar kundër asnjë komuniteti.

“Sot është një ditë historike për qytetarët e Ferizajt, ku duke shfrytëzuar një të drejtë demokratike kemi nisur peticionin drejtuar Kuvendit të Kosovës për shfuqizimin e përdorimit zyrtar të emrit Urosevac. Njëkohësisht kërkojmë që në të tri gjuhët – shqip, serbisht dhe anglisht – të përdoret vetëm emri Ferizaj në të gjitha dokumentet, tabelat, regjistrat, aktet ligjore dhe komunikimin zyrtar të Republikës së Kosovës. Ky peticion është me vullnetin e lirë të qytetarëve të Ferizajt dhe nuk ka të bëjë asgjë kundër asnjë komuniteti. Këtë peticion e kanë mbështetur të gjitha partitë politike në Ferizaj, si dhe partitë e komuniteteve joshumicë. Ka një unitet të plotë në këtë kërkesë”, u shpreh ai.

Të ngjashme