Vrasja e vitit 2024 në Prishtinë, caktohet për nesër seanca fillestare për dy të pandehurit

Prishtinë | 20 Kor 2026 | 17:10 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Prishtinë njoftoi se e ka caktuar seancën e shqyrtimit fillestar në rastin penal ndaj Endrit Llapashticës dhe Dardan Marevcit, të cilët përballen me akuza për vrasje të rëndë më 1 shtator 2024 në lagjen Aktash në Prishtinë dhe armëmbajtje pa leje, specifikisht.

Seanca do të mbahet nesër në orën 09:00, në Pallatin e Drejtësisë në Hajvali, nën drejtimin e kryetares së trupit gjykues, Fatime Dermaku.

“Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik se ka caktuar seancën e shqyrtimit fillestar në çështjen penale PKR.nr.71/2026, e cila ka për objekt shqyrtimi Aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë – PP.I.nr.178/2024 të datës 12.02.2026, kundër të pandehurit Endrit Llapashtica, i cili dyshohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale Vrasje e Rëndë nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.5 dhe 1.11 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), si dhe të pandehurit Endrit Llapashtica dhe Dardan Marevci dyshohen se secili veç e veç kanë kryer veprën penale Mbajtja në pronësi, në kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 36 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Sipas propozimit të Prokurorisë, gjykimi do të zhvillohet në mungesë të të akuzuarve, pasi ata kanë qenë të paarritshëm deri në momentin e ngritjes së aktakuzës.

“Për këtë arsye, përmes këtij njoftimi ju bëhet thirrje të pandehurve të lartcekur që të paraqiten dhe të dorëzohen para organeve të ndjekjes së Republikës së Kosovës. Gjithashtu, u bëhet thirrje të gjithë personave që posedojnë informacione relevante lidhur me vendndodhjen e të akuzuarve, që t’i komunikojnë këto informacione Policisë së Kosovës apo organeve tjera kompetente”, thuhet në njoftim.

Gjykata ka bërë të ditur se aktakuza dhe ftesat për seancën janë publikuar në faqen zyrtare të gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare, ndërsa ka paralajmëruar se do ta informojë opinionin edhe për zhvillimet e mëtejshme në këtë çështje penale.

Të ngjashme