Mbi 40 milionë euro në pikëpyetje, KE shqyrton raportin e Kosovës

Prishtinë | 22 Kor 2026 | 08:08 | Nga Ekonomia Online

Komisioni Evropian ka konfirmuar se po vlerëson raportin e Kosovës për zbatimin e reformave në kuadër të Instrumentit për Reformë dhe Rritje, ndërsa vendimi për disbursimin e fondeve pritet të merret pas përfundimit të këtij procesi.

Më 15 korrik 2026 përfundoi afati për shtetet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën, për dorëzimin e raporteve mbi zbatimin e reformave të parashikuara në periudhën e katërt të raportimit.

“Pas paraqitjes së raporteve, Komisioni Evropian tani po vlerëson zbatimin e hapave përkatës të reformës dhe po vendos për disbursimet përkatëse”, tha Komisioni Evropian në një përgjigje për Kallxo.com.

Megjithatë, Komisioni nuk ka bërë të ditur se kur do të publikohet vendimi përfundimtar.

Afati për zbatimin e reformave ishte 30 qershori 2026, datë që shënoi edhe përfundimin e periudhës shtesë (“grace period”) për hapat që duhej të ishin realizuar që nga mesi i vitit 2025.

Kosova llogaritet të ketë humbur mbi 40 milionë euro për shkak të mosrealizimit të gjashtë reformave, ndërsa pritet vendimi përfundimtar i Brukselit. Sipas autoriteteve, kjo situatë erdhi si pasojë e ciklit të zgjatur zgjedhor dhe krizës institucionale.

Kryenegociatori i Kosovës për Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, konfirmoi më 1 korrik 2026 se nga 13 hapat që duhej të përmbusheshin deri më 30 qershor, shtatë konsiderohen të zbatuar, ndërsa gjashtë nuk u realizuan.

Sipas tij, pesë nga këto reforma vareshin drejtpërdrejt nga miratimi i ligjeve në Kuvend, ndërsa Strategjia për Luftimin e Krimit të Organizuar nuk mund të miratohej nga një qeveri në detyrë.

“Për hapat që nuk kanë arritur të përfundohen në periudhën shtesë, mjetet e dedikuara për përfundimin e tyre humbin. Kostoja llogaritet të jetë mbi 40 milionë euro”, kishte deklaruar Zulfaj.

Ai theksoi se fokusi tani duhet të jetë te 61 hapat që duhet të përmbushen deri më 31 dhjetor 2026, të cilët lidhen me rreth 444 milionë euro nga Plani i Rritjes. Nga këta, 22 hapa kanë afat deri në fund të vitit dhe vlerësohen në 131.7 milionë euro.

Deri më tani, Kosova ka përfituar 62 milionë euro si parafinancim, që përbëjnë 7 për qind të shumës totale, ndërsa pjesa tjetër e fondeve mbetet e kushtëzuar me zbatimin e reformave.

Gjashtë reformat e parealizuara përfshijnë:

  • ligjet për energjinë dhe energjinë elektrike;
  • ligjin për ndihmën shtetërore dhe sistemin e kontrollit të saj;
  • ligjin për inovacionin dhe ndërmarrësinë;
  • legjislacionin për falimentimin dhe ligjin për kamatëvonesat;
  • paketën prej gjashtë ligjeve në fushën e drejtësisë;
  • Strategjinë për Luftimin e Krimit të Organizuar.

Paketa e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor për periudhën 2024–2027 kap vlerën e 6 miliardë eurove. Nga kjo shumë, Kosovës i janë ndarë rreth 882 milionë euro, prej të cilave 253 milionë euro janë grante, ndërsa 629 milionë euro kredi.

Kuvendi i Kosovës e ratifikoi Marrëveshjen për Planin e Rritjes më 13 shkurt 2026, pas një vonese prej më shumë se një viti të shkaktuar nga ngërçi politik dhe mbajtja e zgjedhjeve të reja.

Të ngjashme