Shqipëria dërgon togë këmbësorie në Rumani

Prishtinë | 22 Kor 2026 | 17:37 | Nga Ekonomia Online

Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për dërgimin e një toge këmbësorie të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në Rumani, në kuadër të strukturave të NATO-s për mbrojtjen e krahut juglindor të Aleancës (RP-SE).

Me propozim të Ministrit të Mbrojtjes dhe mbështetur në kuadrin ligjor për dërgimin e trupave jashtë vendit, misioni synon të kontribuojë në operacionet e mbrojtjes kolektive dhe aktivitetet e DDA-së në rajon, shkruan rtsh.al.

Numri i trupave, venddislokimi dhe misioni i togës

Sipas vendimit zyrtar të qeverisë, kontingjenti shqiptar do të jetë i përbërë nga 30 ushtarakë, të cilët do të integrohen në strukturat drejtuese dhe operative të Aleancës në territorin rumun.

Lidhur me detyrat dhe vendosjen e trupave, në vendim specifikohet se “misioni i personelit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë është kryerja e detyrave në përbërje të Brigadës Shumëkombëshe Juglindore (MNB-SE), në zonën e përcaktuar të përgjegjësisë.”

Venddislokimi i togës së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë është në strukturat e Brigadës Shumëkombëshe Juglindore, pjesë e Divizionit Shumëkombësh Juglindor të NATO-s, në rajonet Craiova dhe Caracal, në Rumani.

Kohëzgjatja deri në vitin 2029 dhe sistemi i rotacionit

Angazhimi ushtarak i Shqipërisë në këtë mision është planifikuar të jetë afatgjatë, duke u shtrirë përgjatë disa viteve me zëvendësim periodik të trupave në terren.

“Kohëzgjatja e këtij misioni është deri më 15.9.2029, me sistem rotacioni. Periudha e qëndrimit në mision për çdo togë është deri në 6 (gjashtë) muaj, periudhë së cilës i shtohen edhe ditët e qëndrimit për ndërrimin me togën pasardhëse.”, thuhet në vendim.

Trajtimi financiar dhe mbulimi i shpenzimeve

Për ushtarakët pjesëmarrës, qeveria ka përcaktuar një paketë të plotë mbështetjeje financiare dhe logjistike, e cila përballohet tërësisht nga buxheti i miratuar i Ministrisë së Mbrojtjes. Përveç pagës mujore, efektivët do të përfitojnë një dietë ditore të posaçme.

Ushtarakët do të trajtohen me “dieta për ditët e qëndrimit në mision, në masën 12 000 (dymbëdhjetë mijë) lekë në ditë, përveç pagës mujore”.

Buxheti i shtetit mbulon shpenzimet për akomodim, ushqim, lavanderi, ujë të pijshëm, energji elektrike, si dhe shpenzimet për telefon, internet e shërbime postare.

Sigurimi dhe transporti ku përfshihen sigurimi i jetës, siguracioni shëndetësor jashtë zonës së misionit dhe gjatë udhëtimit, transporti tokësor i kontingjentit, si dhe mbështetja për aktivitete social-kulturore gjatë festave kombëtare.

Për zbatimin e këtij vendimi dhe koordinimin e financimit është ngarkuar drejtpërdrejt Ministria e Mbrojtjes.

Të ngjashme