Republika Demokratike e Kongos po përballet me një krizë të rëndë shëndetësore, pasi shpërthimi i Ebolës ka marrë jetën e më shumë se 1,000 personave.
Sipas autoriteteve shëndetësore, ky është shpërthimi i Ebolës me ritmin më të shpejtë të përhapjes të regjistruar ndonjëherë. Konflikti i vazhdueshëm, rezistenca e disa komuniteteve lokale dhe sfidat në reagimin e autoriteteve po vështirësojnë kontrollin e epidemisë.
Drejtoresha e Përgjithshme e Qendrave Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve bëri të ditur se deri më tani janë konfirmuar 1,031 viktima.
Ndërkohë, statistikat më të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës Demokratike të Kongos tregojnë se janë regjistruar 2,473 raste të konfirmuara, ndërsa të paktën 737 pacientë po trajtohen në spitale ose në qendra izolimi.
Shpërthimi, i shpallur më 15 maj, ndryshon nga shumica e epidemive të mëparshme të Ebolës, pasi varianti i virusit që po qarkullon aktualisht nuk ka një vaksinë apo trajtim të miratuar, shkruan Abcnews.al.
Ekspertët theksojnë se ritmi i vdekjeve është më i shpejti i regjistruar ndonjëherë për këtë sëmundje. Për krahasim, epidemia e Ebolës në Afrikën Perëndimore gjatë viteve 2013–2016 shkaktoi mbi 11,000 viktima nga të paktën 28,000 raste, ndërsa shifra e 1,000 vdekjeve u arrit pas rreth tetë muajsh.