K.R.U. “Gjakova” prezanton regjistrin unik të pronave në takimin e organizuar nga Zyra e Kryeministrit

Prishtinë | 24 Kor 2026 | 13:20 | Nga Ekonomia Online

Përfaqësuesit e K.R.U. “Gjakova” Sh.A. kanë marrë pjesë në takimin e organizuar nga Zyra e Kryeministrit me ndërmarrjet publike, ku u diskutua për administrimin dhe menaxhimin e pronës publike.

Sipas njoftimit, takimi u mbajt në Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe u udhëhoq nga drejtoresha e Zyrës për Administrimin e Pronës Publike në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, Albana Shala Bunjaku.

K.R.U. “Gjakova” u përfaqësua nga kryeshefi ekzekutiv Hasan Krasniqi, përgjegjësi i Zyrës Ligjore Meriton Zika dhe zyrtari përgjegjës për Gjeodezi dhe GIS, Jetmir Jaha.

“Gjatë diskutimeve u prezantua puna e K.R.U. ‘Gjakova’ në krijimin e regjistrit unik të pronave, të harmonizuar sipas standardeve të Zyrës për Administrimin e Pronës Publike”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, përfaqësuesit e kompanisë ngritën edhe çështjet që lidhen me regjistrimin e pronave të eksproprijuara vite më parë.

“U ngritën edhe sfidat që lidhen me regjistrimin dhe ndryshimin e titullarit të disa pronave të eksproprijuara vite më parë, të cilat ende nuk janë regjistruar në emër të kompanisë”, thuhet më tej.

K.R.U. “Gjakova” theksoi se do të vazhdojë angazhimin për përmirësimin e menaxhimit të pronës publike.

“K.R.U. ‘Gjakova’ mbetet e përkushtuar në avancimin e menaxhimit të pronës publike dhe përmbushjen e standardeve institucionale”, thuhet tutje në njoftim.

Të ngjashme