Aksident i frikshëm në Shqipëri: Një person humb jetën, pesë lëndohen

Prishtinë | 26 Kor 2026 | 09:02 | Nga Ekonomia Online

Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur mëngjesin e kësaj të diele në aksin Vlorë-Llogara, pranë fshatit Fushë Dukat, ku një person ka humbur jetën dhe pesë të tjerë kanë mbetur të lënduar.

Ngjarja është regjistruar rreth orës 06:15, kur një furgon që transportonte punëtorë të cilët dyshohet se ishin nisur për punë nga Tirana drejt zonës së bregdetit, ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një kanal anës saj, raporton Euronews.al.

Si pasojë e aksidentit, drejtuesi i mjetit dhe katër pasagjerë kanë mbetur të lënduar, ndërsa një person ka humbur jetën. Viktima është identifikuar si I.H, 52 vjeç.

Për shkak të deformimit të furgonit nga përplasja, disa prej personave që ndodheshin brenda mjetit mbetën të bllokuar mes llamarinave dhe hekurave. Ekipet e zjarrfikësve ndërhynë për të prerë pjesë të mjetit dhe për të bërë të mundur nxjerrjen e të plagosurve.

Të lënduar janë identifikuar si S.H, 22 vjeç; Q.H, 44 vjeç; S.R, rreth 22 vjeç, si dhe një person tjetër, identiteti i të cilit ende nuk është bërë i ditur.

Ata u transportuan me ambulanca drejt Spitalit Rajonal të Vlorës për të marrë ndihmën mjekësore, ndërsa trupi i viktimës u dërgua në morgun e spitalit.

Sipas dyshimeve paraprake, shkak i aksidentit mund të ketë qenë përgjumja e drejtuesit të mjetit ose një problem shëndetësor i papritur, por grupi hetimor po punon për të përcaktuar shkaqet e plota të ngjarjes.

Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat kanë nisur hetimet dhe po kryejnë veprimet procedurale për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

Më të lexuarat
Të fundit

Të ngjashme