Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se manipulimi i informacionit dhe ndërhyrjet e huaja përbëjnë një nga sfidat më të mëdha për vendet që synojnë integrimin në Bashkimin Evropian.
Gjatë konferencës “Përballja me Manipulimin e Informacionit dhe Ndërhyrjen e Huaj: Shqipëria dhe Konteksti i Zgjerimit”, të organizuar nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, Rama përmendi edhe protestat e zhvilluara së fundmi në Tiranë, duke i cilësuar si një shembull të një “çarjeje” që, sipas tij, mund të shfrytëzohet nga aktorë të huaj.
“Duhet të jeni informuar për të ashtuquajturin revolucion i flamingove. Është një shembull i jashtëzakonshëm i një çarjeje që u krijua, që u bë një mënyrë për të hyrë armiqtë tanë. Ecim me vendosmëri drejt fazës së anëtarësimit në BE, është me rëndësi të forcojmë rezistencën ndaj sulmeve hibride. Sa më afër shkon një vend drejt BE-së, aq më shumë rreken aktorët e huaj për të hyrë tinëzisht brenda dhe për të sulmuar. Ne jemi pararojë, kemi përjetuar sulme hibride dhe fushata. Duhet të mësojmë shpejt dhe të përshtatemi shpejt”, tha Rama.
Ai theksoi se manipulimi i informacionit nuk shfaqet në mënyrë të drejtpërdrejtë, por përhapet përmes lajmeve të rreme, videove të falsifikuara, përmbajtjeve “deepfake” dhe shpërndarjes së informacioneve në rrjetet sociale e aplikacionet e komunikimit.
“Manipulimi dhe ndërhyrja e huaj në informacion kurrë nuk mbërrin me uniformën veshur, mbërrin si indinjatë, trend viral, video e falsifikuar, deep fake e një politikani, si një link që çohet në një grup WhatsApp-i nga një person që mirëfilli mendon se po ndan një të vërtetë, flet gjuhën tonë, shfrytëzon ankthet tona. Kjo është arsyeja pse është kaq efektiv. Nuk ju duhet më ushtri për të destabilizuar një vend”.