Gashi pas rihapjes së gjykimit ndaj Gjokoviqit: 1489 ditë gjykim, presim dënimin maksimal

Prishtinë | 27 Kor 2026 | 14:18 | Nga Ekonomia Online

I mbijetuari dhe dëshmitari Halit Gashi ka kritikuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për rihapjen e shqyrtimit gjyqësor ndaj të akuzuarit për krime lufte, Milorad Gjokoviq, duke thënë se procesi gjyqësor po zgjatet pa nevojë, raporton Ekonomia Online.

Gashi, pas vendimit për rihapjen e procesit, tha se ka dëshmuar për 1489 ditë dhe se gjykata ka vendosur ta shtyjë sërish procesin për marrjen në pyetje të një dëshmitari tjetër.

“1489 ditë gjykim që është mbajtë deri në ditën e sotit, gjykata edhe sot e kësaj dite e prolongon, e shtyn për me marrë në pyetje një dëshmitar tjetër që ka qenë shumë i saktë edhe ka qenë dëshmitar okular në vrasjen dhe masakrën e familjes Krasniqi që i ka bërë. Shkojmë, presim tash gjykata edhe sa kohë që shkon. Pra janë 1489 ditë që jam në këtë, në këtë punë, në këtë dëshmi që jam tu e dhënë”, tha ai.

Gashi tha se, sipas tij, dëshmitarja Nurije Krasniqi është marrë në pyetje tri herë lidhur me masakrën ndaj familjes Krasniqi, Morinës dhe Shalave.

“Shumë. Shumë të panevojshme. Është marrë në pyetje, tri herë është marrë Nurije Krasniqi për masakrën që i ka bërë familjes Krasniqi, Morinës, edhe të Shalave. Tri herë është marrë në pyetje. Herën e parë kur ka dëshmuar, këta nuk ishin të gatshëm për me bërë pyetje e kundërpyetje këta avokatët e të pandehurit, ndërsa të dytën dhe të tretën herë u mundojshin atje me gjetë picra aty. E sidomos fjala përfundimtare me 21, të martën e kaluar, krejt pikë, presë, fjalë, fjalitë ngushtë, të zgjeruara me çka ka bërë mbrojtësi i të pandehurit, të tanat pa vërteta! Krejt pa vërteta”, tha ai.

Ai ngriti shqetësime edhe lidhur me procesverbalet e seancave gjyqësore, duke thënë se nuk i janë dhënë procesverbalet e seancave të mbajtura që nga viti 2022.

“Mua nuk më ka dhënë proces që janë mbajtë prej 8/7-të 2022-ës e ditën e sotit, tanat asnjëherë nuk më ka dhënë. Kam dyshim të madh që atje krejt diçka tjetër është shkruar, këtu është bërë krejt një pyetje tjetër… Amani të të këqyrin ato! Mbas kësaj që e ka lëshuar kryetari i trupit gjykues Valon Kurti që është ardh kjo kryetarja e trupit gjykues, Donika Shala Avdyli, kjo ka filluar me na i dhënë ato procese për çdo seancë që është mbajtur. Asnjë, asnjë proces verbal. Këta duhet me pyetë atë. Duhet pyetë Valon Kurti pse asnjë. Edhe plus asaj, çka është shumë brengosëse, kur hynte në sall, hynte kështu”, tha ai.

Gashi tha se është i gatshëm të përballet me drejtësinë dhe kërkoi që ndaj të akuzuarit të shqiptohet dënimi maksimal.

“Jam i gatshëm çdo kohë, çdo moment që ballafaqohemi me drejtësinë dhe vetëm të drejtën! Një pikë, presë, gërmë, fjalë që nuk jemi saktë, mua në burg më shko, nuk di qysh, çka ato. Presim, presim që të japë dënimin e merituar! Dënim maksimal! Dënimin maksimal e pres për të pandehurin që t’i jepet! E kemi pritë sot, ku jemi? Çka është kjo?”, tha ai.

Të ngjashme