Fitimi i një trofeu të madh me klubin apo kombëtaren ka qenë shpesh një nga kriteret kryesore për Topin e Artë, por historia tregon se nuk është gjithmonë një kusht i domosdoshëm.
Revista prestigjioze France Football, që organizon çmimin më të rëndësishëm individual në futboll, ka rikujtuar disa raste kur një lojtar ka triumfuar edhe pa ngritur një trofe të madh ekipor gjatë atij viti.
I pari ishte George Weah në vitin 1995. Sulmuesi liberian bëri histori duke u bërë lojtari i parë afrikan që fitoi Topin e Artë, edhe pse nuk kishte një trofe madhor me klubin apo kombëtaren.
Performancat e tij individuale me PSG-në dhe Milanin mjaftuan për të bindur votuesit.
Pesë vite më pas, në 2000, ishte radha e Luís Figos.
Portugezi fitoi çmimin pas një sezoni të jashtëzakonshëm individual, pavarësisht se nuk kishte fituar një kompeticion madhor me ekipin.
Rasti më i afërt është ai i Cristiano Ronaldos në vitin 2013.
Ylli portugez fitoi Topin e Artë pa një trofe të madh ekipor, duke u shpallur fitues falë statistikave të jashtëzakonshme me Real Madridin, ku shënoi 69 gola gjatë atij viti.
Ky precedent rikthen në skenë debatin për Kylian Mbappé.
Sulmuesi francez nuk fitoi asnjë trofe të madh ekipor sezonin e kaluar, por vazhdon të jetë një nga favoritët kryesorë për Topin e Artë falë paraqitjeve individuale, golave dhe ndikimit në lojë.
Pyetja që tashmë qarkullon në botën e futbollit është: a mund të shkruajë Mbappé një kapitull të ri në historinë e Topit të Artë, duke ndjekur gjurmët e Weah, Figos dhe Ronaldos?