Një incident i pazakontë është regjistruar në Spitalin Rajonal të Lezhës, ku një 54-vjeçar ka hyrë për të marrë trajtim mjekësor me armë zjarri me vete, ndërsa ajo është shkrepur aksidentalisht gjatë qëndrimit në ambientet e spitalit.
Sipas Policisë së Shtetit, shtetasi me inicialet G. N., 54 vjeç, kishte shkuar në spital për shkak të problemeve shëndetësore, por dyshohet se nga çanta e krahut i ka rënë një armë zjarri, e dyshuar pistoletë, duke shkaktuar një të shtënë të pavullnetshme.
Pas hetimeve të para, policia ka shpallur në kërkim djalin e 54-vjeçarit, 18 vjeç, i cili dyshohet se ka fshehur armën me qëllim pengimin e zbardhjes së plotë të ngjarjes.
Gjithashtu, është proceduar penalisht në gjendje të lirë edhe një punonjës i Spitalit të Lezhës, me detyrë në sektorin e IT-së, shtetasi A. V., 54 vjeç, i dyshuar se ka kryer veprime që kanë penguar zbardhjen e rrethanave të incidentit.
Policia vijon hetimet për të dokumentuar të gjitha detajet e ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë e personave të përfshirë.