Haradinaj takon ministrin francez Haddad, kërkon mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në KiE dhe NATO

Prishtinë | 27 Kor 2026 | 18:26 | Nga Ekonomia Online

Ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se së bashku me deputetët e Aleancës ka zhvilluar një takim me ministrin e Deleguar për Çështje Evropiane të Francës, Benjamin Haddad, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet politike në Kosovë dhe perspektivën evropiane të vendit.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj tha se gjatë takimit kanë shprehur mirënjohje për mbështetjen e Francës ndaj Kosovës dhe kanë kërkuar vazhdimin e saj në proceset integruese.

“Në takim me Ministrin e Deleguar për Çështje Evropiane të Francës, z. Benjamin Haddad, bashkë me kolegët deputetë nga Aleanca, biseduam për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe për perspektivën evropiane të vendit tonë”, shkroi Haradinaj.

Ai tha se Francës i është kërkuar mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

“Shprehëm mirënjohjen ndaj z. Haddad dhe shtetit Francës për përkrahjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, dhe kërkuam që kjo mbështetje të vazhdojë, veçanërisht në kandidaturën për anëtarësim në Këshillin e Evropës, marrjen e statusit të vendit kandidat dhe anëtarësimin e Kosovës në NATO”, theksoi ai.

Haradinaj bëri të ditur se gjatë takimit ai dhe deputetët e AAK-së prezantuan edhe qëndrimet e tyre për krijimin e institucioneve të reja.

“Para ministrit, bashkë me kolegët e Aleancës, shpalosëm ofertën tonë për krijimin e institucioneve, duke theksuar se gjashtë pikat tona janë thelbësore për zhvillimin dhe të ardhmen e vendit”, u shpreh Haradinaj.

Ai vlerësoi rolin e Francës në mbështetjen e Kosovës ndër vite.

“Franca ka qenë dhe mbetet një ndër miqtë më të rëndësishëm të Kosovës, me një rol të çmuar në të gjitha etapat e rrugëtimit tonë drejt lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit. Për këtë, i jemi mirënjohës përherë”, shtoi Haradinaj.

Të ngjashme